Tiranë, qetësohet situata tek ish-Kombinati

Ka marrë fund makthi i shpërthimeve dhe zjarrit masiv që përfshiu një magazinë me fishekzjarre në zonën tek ish-Kombinati.
Forcat e zjarrfikësve, në mbështetje të të cilave mbërritën edhe kolegët nga qytetet e tjera të afërta me Tiranën, shprehen se tashmë situata është nën kontroll, pasi intensiteti i flakëve ka rënë pothuajse në zero.
Zjarri, që dyshohet se ra për shkak të një shkëndije elektrike apo për ndonjë veprim pakujdesie, u përhap me shpejtësi dhe bëri që të shpërthenin fishekzjarret që ndodheshin në ambjentet e magazinës.
Shumë shpejt situata u rëndua dhe forcat e policisë, me të mbërritur në vendin e ngjarjes, evakuan me shpejtësi banorët e zonës.
Sipas burimeve policore, për vendosjen nën kontroll të flakëve u angazhuan dhjetë makina zjarrfikëse, të cilat punuan për pothuajse dy orë.
Frika më e madhe ishte se flakët mund të përfshinin një pikë karburanti që ndodhet aty pranë, pas shkrumbimit të disa bizneseve të vogla.
Në vendin e ngjarjes ishte edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili mbikëqyri dhe koordinoi nga afër operacionet për shuarjen e zjarrit masiv.
Autoritetet njoftojnë se për fat të mirë nga zjarri dhe shpërthimet nuk ka persona të lënduar, por dëmet materiale janë të mëdha.
Ndërkohë, autoritetet njoftojnë se për ngjarjen është ngritur një grup i posacëm hetimor, që pritet të përcaktojë shkaqet e zjarrit.
Tahiri: Ndërhyrja mund të kishte qenë më efikase
Ndërsa deputeti socialist i zonës së ish-Kombinatit, Sajmir Tahiri, në një prononcim për Top Channel u shpreh se ndërhyrja e zjarrfikësve dhe njësive të tjera mund të kishe qenë më efikase.
“Është një ngjarje shumë e rëndë për banorët e lagjes së Kombinatit. E them me bindje se një ndërhyrje më energjike e zjarrfikësve do kishte mënjanuar shumë pasoja, që tashmë janë të pallogaritshme. E them këtë me bindje pasi në fillim ishte e pamundur të gjeje zjarrfikës për t’i sjellë në vendin e ngjarjes”, deklaroi Tahiri.
Deputeti përshëndeti hetimet që kanë nisur dhe kërkoi që në këtë proces të shqyrtohet edhe pista e zjarrvënies së qëllimshme.
“Kërkoj edhe nga bashkia një fond të vecantë për tregtarët e dëmtuar nga zjarri, si dhe përjashtimin e tyre nga taksat”, shtoi ai.
Add new comment