Tiranë, pallatet e reja do hipotekohen. Ja marrëveshja

Të gjitha banesat në pallatet e ndërtuara vitet e fundit në Tiranë do të pajisen me hipoteka. Kjo u deklarua sot pas një Memorandiumi që u nënshkrua mes Kryebashkiakut Lulzim Basha, Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi dhe atij të Drejtësisë, Eduart Halimi.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Basha, Olldashi dhe Halimi konkretizuan me fjalë marrëveshjen që u firmos sot, dhe premtuan se qytetarët nuk do të hasin vështirësi në këtë proces pasi cdo hap do të lehtësohet falë bashkëpunimit trepalësh.
Ne fjalen e tij, Basha theksoi se Bashkia e Tiranës do të angazhohet në dhënien e lejeve të shfrytëzimit, cka është momenti më i rëndësishëm për paisjen me certifikatën e pronësisë.
Memorandumi i nënshkruar sot gjithashtu është një dokument ligjor që garanton bashkëpunimin me pushtetin qëndror, pika tjetër e rëndësishme e procesit të paisjes me hipoteka.
Basha
“Unë realizoj sot një premtim elektoral. Hipotekimin e të gjitha banesave të pahipotekuara këto vitet e fundit. Deri dje banorit që ka paguar e blerë banesën i është mohuar e drejta të jetë pronar, por nga firmosja e këtij memorandiumi do të nisë një erë e re. Jo vetëm që halli i tyre do marrë fund, por do te nise edhe nje erë e re në bashkëpunimin mes pushtetit qëndror dhe atij lokal.
Basha theksoi gjithashtu se qyteti eshte privuar nga një shumë prej nga 500 ne 700 milionë lekë. “Së pari, i jep fund deprivimit të padrejtë nga titulli i pronësisë, të atyre mijëra familjeve që kanë paguar apartamentet ku jetojnë, në mirëbesim se këto apartamente të ndërtuara me leje nga Bashkia e Tiranës, një ditë do të hipotekoheshin dhe do të regjistroheshin si pasuri e tyre, në emër të tyre, për të qenë më vonë instrumenta financiarë të ekonomisë së tyre. Së dyti, vetë qyteti është privuar nga një shumë 500 deri në 700 milionë euro, shumë kolaterali që përfaqësojnë këto apartamente të pahipotekuara, që sot janë thjesht tulla, beton, dritare dhe mobilje, por që nesër me përfundimin e këtij procesi do të jenë jo vetëm pasuri për qytetarët, e regjistruar në emër të tyre, por edhe një kolateral i fuqishëm në bankat e qytetit të Tiranës dhe një garanci për investime, për rritje ekonomike dhe punësim".
Kryebashkiaku premtoi se Bashkia Tiranë nga dita e sotme që nënshkruan këtë memorandium do të nisë një bashkëpunim të pastër dhe aspak burokratik me ministritë përkatëse. "Lejet e shfrytëzimit, me arsye dhe pa arsye, kanë mbetur peng i mungesës së vullnetit dhe i mungesës së ndjeshmërisë ndaj këtij problemi, mungesës së ndjeshmërisë për qytetarët e Tiranës. Në zgjidhjen e këtij problemi është e domosdoshme që Bashkia të ketë një bashkëpunim sa më të ngushtë, efikas, jo burokratik me institucione të tjera që janë aksionare, në forma, mënyra e momente të ndryshme të procesit të regjistrimit, siç është Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Në këtë bashkëpunim qëndron edhe çelësi tjetër i zgjidhjes së problemit brenda një kohe shumë të shkurtër. Prandaj duke garantuar këto dy institucione të qeverisjes qëndrore për bashkëpunimin e plotë timin personal dhe të Bashkisë së Tiranës që është hallka përgjegjëse, shpreh kënaqësinë e veçantë që ky memorandum shënon, bashkë me bashkëpunimin tonë për të zgjidhur këtë problem, dhe fillimin e një ere të re bashkëpunimi mes qeverisjes më të madhe lokale në vend, dhe qeverisjes qëndrore”.
Basha theksoi se premtimi elektoral do të ishte nënshkruar dhe më parë, por vonesat në tejzgjatjen e procesit elektoral, shtynë dhe vonuan dhe këtë gëzim të qytetarëve.
I pyetur sesi do të procedohet me banorët në pallatete ku ka konflikt pronarë tokë-ndërtues, Basha premtoi se banorët që kanë blerë apartamente dhe nuk ka probleme të këtij lloji do pajisen shumë shpejt me hipoteka. Kurse për pjesën ku ka shkelje, Basha garantoi se Bashkia falë punës me Ministrinë e Drejtësisë dhe Transporteve do të dijë të dallojë dhe ndaje të drejtën e banorit që ka blerë pallatin nga përgjegjësitë e ndërtuesit apo konfliktit që mund të ketë ndërtuesi me pronarët e ligjshëm të tokave.
Kryebashkiaku garantoi se ky proces do të nisë nga zbatimi shumë shpejt. “Mendoj që procesi tashmë ka filluar, duhet vijuar pak me përgatitjet për aktet e regjistrimit, por dhe me Ministritë përkatëse. Ka disa kategori të ndryshme sa i përket hipotekimit, por ky proces do të nisë jo më vonë se java e dytë e muajit nëntor dhe premtoj se do e mbyllim dhe shumë shpejt.
Olldashi
Nga ana e tij ministri i Puneve Publike dhe Transporteve, Olldashi theksoi se ky memorandum bashkëpunimi do të përshpejtojë më tej procesin e hipotekimit të banesave dhe t`i japë fund problemit që prek mijëra familje në Tiranë. “Në vazhdim të asaj që tha Kryetari i Bashkisë, është shumë e rëndësishmëe që është vendosur bashkëpunimi mes Bashkisë dhe qeverisjes qendrore për zgjidhjen e një problemi që është i trashëguar, shumëvjeçar dhe prek mijëra familje në Tiranë. Ka qenë një proces që mund të ishte bërë shumë më herët, por për shkak të dallimeve konceptuale që ka pasur Bashkia e atëhershme me Bashkinë e sotme, nuk ka qenë e mundur. Nuk ka qenë e mundur sepse në asnjë cast nuk ka pasur gadishmëri bashkëpunimi , jo thjesht për arsye politike, por sepse besoj se koncepti i Bashkisë së atëhershme ka qenë krejt i ndryshëm nga sot. Bashkia e djeshme kishte në qendër të administrimit vetëm pallatet, bashkia e sotme ka në qendër, vetë qytetarët. Ndryshim thelbësor substancial i cili sot gjen një zgjidhje me këtë memorandum dhe jam i bindur që me gadishmërinë e të gjithë institucioneve të përfshira në këtë memorandum, të ministrive, Bashkisë dhe institucioneve që janë në varësi të ministrive të linjës, do të bëhet i mundur hipotekimi i pasurisë së mijëra qytetarëve të Tiranës në një kohë shumë të shkurtër, duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit”, ka theksuar Olldashi.
Halimi
Ndërsa Ministri i Drejtësisë Halimi duke vlerësuar memorandumin theksoi se procesi i hipotekimit të banesave bëhet i pamundër nëse nuk do të ketë bashkëpunim mes pushtetit qeverisës dhe atij lokal. “Ky proces bëhet gati i pamundur në rastin e mosbashkëpunimit me pushtetin lokal. Sigurisht, është detyrë e ZRPP që të pajisë qytetarët me aktet e pronësisë, por kjo deri më sot ishte e pamundur pa hequr të gjithë barrierat ndaj ZRPP dhe qytetarëve, për të finalizuar projektin e hipotekimit të apartamenteve në Tiranës. Sigurisht ky proces i hap rrugën hartimit të një sërë aktesh nën ligjore nga qeveria qendrore. Janë kryetari i Bashkisë dhe Ministria e Drejtësisë, ZRRPP që do të bëjnë të mundur implementimin e këtyre akteve nënligjore dhe finalizimin e procesit të regjistrimit të apartamenteve në Tiranë. Edhe njëherë, falenderoj Kryetarin e Bashkisë për mundësinë që i jep qeverisjes qendrore, Ministrisë së Drejtësisë, për një performancë ndaj shërbimit qytetar” ka shtuar Halimi.
(d.b/BalkanWeb)
Add new comment