Thimo shiti ikonat në Zvicër për 80 mijë euro

Postuar në 12 Nëntor, 2013 15:53

-Thellohet skandali i ikonave. Maqedonia pritet të nisë në drejtim të vendit tonë katër ekspertë për të verifikuar disa prej ikonave të cilat pretendohet se janë vjedhur në kishat e tyre dhe janë poseduar më pas nga trafikantët shqiptarë. Madje bëhet me dije se ekspertët e artit ikonografik të shtetit fqinjë kanë pretenduar se një pjesë e mirë e veprave që janë mbajtur fshehur nga koleksionisti shqiptar i arrestuar janë vjedhur në vendin e tyre. Për këtë fakt homologët shqiptarë të hetimit iu kanë hapur dritën jeshile të vijnë dhe të verifikojnë veprat që mund të jenë vjedhur në kishat maqedonase. Mbërritja e tyre pritet brenda kësaj jave, ndërsa bëhet me dije se tashmë kundër koleksionistit Gjergji Thimo vjen edhe një kallëzim borxhi i pashlyer që indirekt zbulon se në disa prej veprave është ndërhyrë dhe është ndërruar autorësia për të bërë të mundur shitjen e tyre. Ekspertët e hetimit tashmë po hetojnë edhe në Zvicër ku janë shitur disa ikona me shifrën e 8 mijë euro-ve secila.

Kallëzimi ndaj Thimos

Një borxh i pashlyer i Gjergji Thimos ndaj Arben Spahos ka bërë që të rihapet një tjetër akuzë që duket se kësaj radhe e fundos njeriun e ikonave. Sipas burimeve të prokurorisë bëhet me dije se një kallëzimi penal i Arben Spahos do të jetë një nga pikat kryesore, ku do të bazohet akuza e prokurorisë ndaj koleksionistit Gjergji Thimo. Sipas tij, Gjergji Thimo e kishte pranuar disa herë që ikonat janë të vjedhura në Kishat e Përmetit, Gjirokastrës, Korçës e disa në Maqedoni. Shtetas shqiptarë i vidhnin atje dhe ia shisnin Gjergjit. Në kallëzimin e tij Arben Spaho pohon se bashkëshortja e Thimos ka studiuar për pikturë dhe ndërhynte në ikona, duke i ndryshuar autorësinë. Pasi fshihej autori i ikonës, ishte me e lehtë që objekti të shitej. Arben Spaho kërkonte prej kohësh një borxh ndaj Gjergji Thimos dhe ky i fundit e informonte vazhdimisht për shitjen e ikonave. Veç kësaj prokuroria, bën me dije se në tre raste janë dorëzuar në Qendrën e Inventarizimit të trashëgimisë kulturore tri çertifikata të falsifikuara dhe të plotësuara nga një profesor, i cili ndodhet në gjendje kome prej tri vitesh. Prokuroria ka mundur të provojë shitjen e 8 ikonave të vjetra nga ana e Gjergji Thimos, tek një shtetas shqiptar me banim në Zvicër. Gjatë kontrollit të banesës së Thimos janë sekuestruar disa kontrata të blerjes së ikonave me çmimin 10 mijë euro secila. Sipas prokurorisë, Thimo ka shitur disa prej ikonave të vjetra, edhe pse i dinte që ishin të vjedhura. Çështja e ikonave u bë publike disa javë më parë, kur policia ndërhyri dhe zbuloi një numër të madh ikonash të cilat Thimo pretendonte se ishte thjesht koleksionist. Ai u arrestua dhe u vu nën akuzë, ndërsa gjykata e la në burg pa afat dhe po vijojnë hetimet në lidhje me aktivitetin e tij kriminal në fushën e trafikimit të ikonave.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.