Tahiri: Nuk duam turizëm me diploma të blera

“Nuk duam turizëm me diploma të blera”. Kështu iu përgjigj ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri gazetarëve italianë. Në një intervistë për “Radio 24”, ai tha se do të hetohen të gjithë studentët italianë që kanë blerë diploma në Shqipëri. “Këta studentë fantazma po hetohen për korrupsion, shpërdorim detyre si dhe për krime të tjera”, -citohet më tej ministri Tahiri. Gazetat, të cilat i kanë dhënë jehonë kësaj interviste, shkruajnë se ministri Tahiri ka thënë se janë me dhjetëra studentë italianë të diplomuar në universitetet private në Shqipëri, por që në fakt nuk i kanë ndjekur leksionet. Njëri nga rastet italiane që u bë pjesë e mediave shqiptare dhe ato të huaja ishte ai i Renzo Bossi-t, i cili u akuzua se kishte marrë diplomë në universitetin “Kristal”, në Tiranë, por që rezultonte se nuk kishte marrë pjesë ndonjëherë në leksionet e zhvilluara në auditorët e këtij universiteti. “La Repubblica” shkruan më tej se Tirana zyrtare ka ndërmarrë një operacion për të verifikuar të gjitha bizneset e universiteteve private. Lidhur me këtë, ministri Tahiri shprehet në radion italiane: “Verifikimin e standardeve të universiteteve do t’ia besojmë një shoqërie ndërkombëtare. Studentët fantazma janë një dëm i madh për të gjithë. Janë me dhjetëra studentë italianë, rreth të cilëve jemi duke hetuar, që kanë marrë diploma në shkencat sociale pa qenë të pranishëm në auditorë as edhe një ditë të vetme”. Por ministri i Brendshëm paralajmëron edhe studentët shqiptarë që blejnë diploma jashtë vendit. “Ky do të jetë një vendim administrativ, dhe ne jemi duke hetuar edhe për ata persona që shkojnë jashtë shtetit dhe paguajnë për të marrë diplomat”, -ka thënë Tahiri për radion italiane “24”.
Mapo
Add new comment