Tahiri: Me urdhër të Ramës nuk u procedua askush për protestat pavarësisht devijimit ligjor

Postuar në 16 Nëntor, 2013 14:40

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka deklaruar se nuk ka asnjë procedim penal për personat që protestuan kundër ardhjes së armëve kimike në Sirisë në Shqipëri. Pas publikimit në media të lajmit se policia ka nisur procedim penal për tubim të paligjshëm, ka ardhur reagimi i kreut të Ministrisë së Brendshme.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin socialFacebook, Tahiri ka deklaruar se ditën e parë të protestës dhe devijimit të saj pranë godinës së një prej ambasadave, policia ka ndjekur përpilimin e një procedure rutine lidhur me daljen nga plani i shpallur i protestës. “Në ditët në vijim, kjo procedurë u ndërpre me urdhër të Kryeministrit, për sa kohë daljet nga plani i protestës nuk përbënin rrezik për objektet e rëndësisë së veçantë.

Kam dëshirë të ndaj, ndër shumë të tjera, edhe një ndër shqetësimet e mëdha tona gjatë këtyre ditëve, por shqetësim i posaçëm i Kryeministrit gjithashtu.

Gjithë këto ditë, kryeministri Rama më ka telefonuar vazhdimisht për tu siguruar që policia të ishte sa me pak e pranishme dhe sa më shumë qytetare në sjelljen e saj me protestuesit. Besoj ia arritëm të tregojmë fytyrën e qytetëruar të Policisë së Shtetit, si partner i denjë i qytetarëve. Fituam siguri nëpërmjet paqes, jo nëpërmjet dhunës ndaj protestuesve.

Ashtu sikundër dua të përfitoj nga rasti për t’ju thënë se shqetësimi i vetëm që Kryeministri ka ndarë me mua në bisedat për çështjen e armëve kimikë që kur më informoi për kontaktin me miqtë amerikanë, ishte qëllimi për të përputhur tërësisht objektivin madhor të operacionit me interesat strategjike e politike të Shqipërisë, por në radhë të parë me sigurinë e jetës dhe përmirësimin e kushteve mjedisore në vend.

Nuk kam dyshuar asnjë çast të vetëm që në fillim të kësaj historie, se Edi Rama nuk do merrte kurrë një angazhim për t’iu drejtuar parlamentit pa u realizuar një përputhje e tillë, në mënyrën më të plotë.

Besoj gjithashtu se protesta forcoi dita ditës, tek ne por mbi të gjitha të Edi Rama vetë, një mëdyshje të fillimit se pa përfshirjen e një a dy vendeve të tjera, Shqipëria mund të rezultonte të kishte të pamundur të thoshte “PO”, kjo edhe për shkak të perceptimit të vjetër negativ të saj si “vendi i plehrave” në Evropë.

Nuk di shumë detaje për dinamikën e diskutimeve me partnerët, por një detaj kam dëshirë ta ndaj me ju. Atë mëngjes, kur e njoftova se shumë nxënës po linin shkollat për të dalë në protestë, më tha “shyqyr që s’i nxjerr më shteti në miting me zor për të brohoritur, por dalin vetë pa frikë për të protestuar për diçka kaq të madhe”…

Kam bindje që dolëm të gjithë më të fortë nga gjithë kjo histori…”, shkruan Tahiri.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.