Standarde shtrënguese në 2012, më pak kredi për bankat

Pavarësisht uljes së Normës Bazë të Interesit, dhënia e kredive pritet të jetë më e ulët gjatë këtij viti. Banka e Shqipërisë në raportin më të fundit për aktivitetin kreditues në vend ka bërë me dije se pritshmëritë nuk janë pozitive. Vrojtimi i tregut bankar dhe të dhënat e marra në 16 bankat e nivelit të dytë tregojnë se individët dhe bizneseve që kërkojnë kredi do të përballen me kërkesa më të vëshitra në sportelet e bankave.
Në vrojtim thuhet se për tremujorin e parë të vitit 2012 ekspertët e bankave presin që standardet e kredisë për bizneset do të vijojnë të shtrëngohen më tej. Kjo tendencë është e konfirmuar si për kreditë dhënë bizneseve të mëdha dhe ashtu edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Një tregues është edhe ai për qëllimin e kredisë, pasi standardet pritet të jenë të shtrënguara si për kredinë për qëllime investimi ashtu dhe për atë për financimin e kapitalit qarkullues dhe të inventarëve.
Megjithatë, në bankat e nivelit të dytë thonë se kërkesa për kredi do të shënojë rritje, por kjo vetëm nga bizneset, pasi për individët tendenca është e kundërt. Kërkesa e individëve për kredi, bazuar në gjykimin e bankave, ka vijuar prirjen rënëse në tremujorin e katërt të vitit 2011, përkatësisht është 5.6 për qind. Një tjetër tregues interesant është ai për kredinë sipas monedhës, ku ekspertët e bankave presin rritje të kredive të miratuara në lekë dhe ulje të atyre të shprehura në monedhë të huaj. I vetmi lajm i mirë në këtë vrojtim është që pritjet për normat e interesit të kredive në tremujorin e parë të vitit 2012 kanë një tendencë rënëse, si për kredinë në lekë ashtu dhe për atë në valutë.
Albanian Screen
Add new comment