Sot homazhe për Sabri Godon, qeveria: Dy orë zi kombëtare

TIRANE- Në moshën 82-vjeçare, shkrimtari dhe politikani i njohur z.Sabri Godo ndërroi jetë mesditën e djeshme nga një tumor pulmonar. Qeveria ka shpallur sot ditë zie kombëtare, ndërkohë që në hollin e parlamentit do të zhvillohet ceremonia mortore nga ora 12:00–14:00. Politikani i njohur kishte dalë prej pak ditësh nga spitali, ku qëndroi i shtruar prej më shumë se 10 ditësh në gjendje të rëndë, pasi kishte kërkuar që t’i kalonte në banesë momentet e fundit të jetës.
Sabri Godo u shtrua me urgjencë në reanimacionin e Sanatoriumit më 22 nëntor, pasi vuante prej 7 muajsh nga një sëmundje e rëndë në mushkëri me të cilën ishte përballur që në muajin qershor të këtij viti. Ai vendosi të kurohej në Itali, por ditët e fundit gjendja e Godos u rëndua së tepërmi ndaj dhe vendosi të kthehej në shtëpi.
VENDIMI:
1. Shpalljen zi kombëtare, nga ora 12.30 deri në 14.30, ditën e diel, datë 4.12.2011, në nderim të të ndjerit, z.Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar.
2. Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 14.30 të mbahet një minutë heshtje.
3. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e diel, datë 4.12.2011, ora 12.30 deri 14.30, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
4. Radio-Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit funebër zyrtar, të transmetojë muzikë funebre.
5. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme.
6. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ballkanweb.com
Add new comment