Shqiptari shpërdoron “ëndrrën amerikane”

New Jersey (SHBA) - Një emigrant shqiptar që jeton në Garfield, që shkoi në shtëpi mori armën dhe qëlloi për vdekje një 29-vjeçar pas një konflikti në lokal, është dënuar me 13 vjet burg. Melsi Pajo, shkoi në SHBA pasi fitoi lotarinë në Shqipëri. Ai bënte dy punë, ndërsa natën shkonte në shkollë për t’u bërë teknik kondicionerësh. Por ai e shpërdoroi “ëndrrën amerikane”, duke qëlluar për vdekje një person. “Ju jeni 28 vjeç”, i tha gjykatësja Liliana DeAvila-Silebi shqiptarit. “Familja jote shpresonte se ardhja në SHBA do të bënte që të jetoje një jetë më të mirë.”
Pajo kishte pasur një debat me 29-vjeçarin, Likasz Goralczyk pasi ishin takuar në pub në Wallington mbrëmjen e 23 qershorit të vitit 2011. Shqiptari, që jetonte në SHBA prej 9 vitesh, thotë se nuk e njihte Goralczyk-un. Më vonë pranoi se i kishte telefonuar një shoku që të shkonte ta merret dhe më pas shkoi në apartamentin e tij për të marrë një pistoletë. Pajo tha para gjykatës se kishte parë Goralczyl-un bashkë me një grup shokësh që po i afroheshin me dy shkopinj basketbolli në duar. Pas kësaj, ai i ka drejtuar pistoletën që e mbante pa leje duke qëlluar Goralczyk-un në kraharor. Prokurorja tha se ky veprim nuk ishte vetëmbrojtës pasi nuk kemi të bëjmë me të shtënë paralajmëruese. Pajo pas kësaj u largua dhe fshehu armën dhe për disa ditë u fsheh tek miqtë e tij. Më pas ai shkoi në Florida, ku sipas autoriteteve ka tentuar të marrë një barkë dhe të largohet nga SHBA-të, por hetuesit e prangosën para se kjo të ndodhte.
Avokatja mbrojtëse, Diane Licianna e karakterizoi klientin e saj si një njeri që ka bërë një gabim të tmerrshëm. Por prokuroria e cilësoi atë të “dhunshëm dhe të rrezikshëm”. Shqiptari përveç dënimit për vrasjen e 29-vjeçarit është dënuar edhe për plagosjen e shokut të qelisë me thikë. Gjykata tha se ai duhet që të kryej 85% të dënimit (pak më shumë se 11 vjet) para se të kërkojë rishikim të vendimit. Pas përfundimit të dënimit, ai do të riatdhesohet në Shqipëri.
SHEKULLI
Add new comment