S’ka video, që akuzon Doshin për kanosje. Avokatët: Dy prej akuzave mund të bien

Ndryshe nga çdo hyrje tjetër në organin e akuzës, ku përgjatë Marsit dha deklarata nën cilësinë e personit që ka dijeni, deputeti Tom Doshi u soll nën shoqërinë e efektivëve të Policisë në Prokurorinë e Përgjitshme, ku u pyet si person nën hetim.
Deputeti u shfaq i bezdisur nga përpjekja e policit, për t’i kapur krahun.
Për mbi dy orë, deputeti Tom Doshi, i cili mbahet me vendim gjyqësor nën arrest shtëpiak, është njohur nga prokurorët me rezultatet e ekspertizës, që ka konkluduar se nuk ekziston asnjë video e pretenduar nga Durim Bami, se në të shfaqej teksa kërcënohej me armë zjarri për të inskenuar komplotin.
“Doshi u pyet konkretisht për aktet e ekspertimit, sa për rrethanat e faktit ka dhënë sqarime dhe shpjegime më parë. Ai i qëndroi aktit të ekspertimit dhe ishte dakord me të”, tha Vladimir Meçi, njëri prej avokatëve mbrojtës të deputetit Doshi.
“Për sa kohë që akti nuk thotë gjë në ngarkim të tij, s’ka çfarë të thotë. Është dakord me të dhe e ka thënë edhe më parë, që nuk ekziston asnjë video ku të shfaqet duke kërcënuar dikë, dhe kjo u vërtetua sot”, tha avokati Ferid Muçaj.
Avokatët e lexojnë mungesën e një videoje në favor të klientit, çka do të sillte thjeshtimin e akuzave ndaj tij, që nga 3 mund të përfundojnë në vetëm një.
“Janë dy vepra të rëna; deklarimi i rremë, i cili nuk mund të shkojë paralelisht me kallëzimin, si dhe kanosja”, tha avokati.
Në datën 28 Prill, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e Tom Doshit, që këmbëngul lirinë, si edhe kthimin në Parlament. / Top Channel
Add new comment