Sëmundjet e kockave. Kostoja e trajtimit, 15 mijë euro në vit

Shqiptarët përditë e më shumë po vuajnë nga kockat. Mjekët thonë se shkaqet kryesore për rritjen masive të sëmundjeve të eshtrave, artriteve por edhe osteoporozës, janë bërë kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik.
Vetëm në Qendrën Spitaliore Universitare në Tiranë aktualisht trajtohen 25 mijë persona për artrite të ndryshme. Ndërsa nga osteoporoza vuajnë 23 përqind e popullsisë dhe një në tre femra pas menopauzës preket nga kjo sëmundje. Për të përmbledhur të dhënat mbi sëmundjet e kockave, Shërbimi i Reumatologjisë në QSUT po harton një regjistër kombëtar.
"Ky regjistër do të marri përsipër që këta të sëmurë të dokumentohen, të ndiqen, të trajtohen në mënyrë korrekte dhe ndjekja të jetë e kontrolluar. Në qëllimet tona kemi pikërisht hartimin e disa barnave që do i gjykojmë të arsyeshme për të luftuar dhe për ti futur në listën e barnave të rimbursueshme që këta të sëmurë ti marrin këto barna dhe që kostoja monetare gjithsesi të lehtësojë disi xhepin e tyre", tha Teuta Backa, Shefe e Reumatologjië, QSUT.
Mjeku Syleman Rexhepi ndërkaq foli për komplikacionet nga sëmundjet e kockave, por edhe koston e lartë për trajtimin dhe kurimin, e cila shkon deri në 15 mijë euro në vit.
"Rreth 1500 euro kushton shpenzimi mujor, ose 15 mijë euro në vit. Pacienti të bëjë diagnozën sa më herët, të bëhet mjekimi sa më herët dhe të gjitha këto me një qëllim shumë të rëndësishëm që pacientët të mos kenë dhimbje, tu kthehen profesionit të tyre, të mos mbeten në invaliditet dhe tu evitohet ndonjëherë edhe vdekja", u shpreh Syleman Rexhepi, Mjek reumatolog.
Ndër patologjitë që prekin eshtrat, Osteoporoza konsiderohet si një sëmundje e heshtur dhe mjekët këshillojnë, që për çdo dhimbje në shtyllën kurizore apo të qafës, të bëhet një grafi e thjeshtë. Për të parandaluar këtë sëmundje duhet të konsumohen ushqime me kalcium dhe vitaminë D.
Albanian Screen
Add new comment