Rompuy-Barroso: Greqia do t'ia dalë. Eurogrup, “dritë jeshile” kredisë

Postuar në 13 Mars, 2012 05:34

Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompui përshëndeti progresin e arritur në Greqi dhe njoftoi se vendet e eurozonës dhe FMN-së do të sigurojnë 130 miliardë euro, për të mundësuar që ky vend të mbulojë 70% të detyrimeve të tij ne banka. 

Van Rompui argumentoi se komisioni duhet të ndihmojë me asistencë teknike Greqinë, që ajo të vazhdojë të ecë në rrugën e zhvillimit. 

I bindur se Greqia do të jetë në gjendje të bëjë reformat e nevojshme dhe të marrë në rrugën e zhvillimit, është shprehur edhe presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso, gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Parlamentit Evropian. 

Barroso siguroi se ekziston një bashkëpunim i ngushtë midis Komisionit Evropian, kryeministrit grek dhe ekipit të tij, në mënyrë që Greqia të vazhdojë rrugën për të lehtësuar investimet dhe për të krijuar vende të reja pune. "Ne jemi në diskutime me Bankën Evropiane të Investimeve, për të parë se në çfarë kushtesh mund të kontribuojë ajo në programin e investimeve të Greqisë," tha zoti Barroso. 

Së fundi, ai bëri të njohur se në fund të prillit, Komisioneri Evropian për ekonominë Olli Rehn do të japë një raport ku do të përshkruhet përparimi i bërë në Greqi 

Ndërkaq kreu i Eurogrup z.Jean-Claude Juncker deklaroi se “Greqia ka përmbushur të gjitha kërkesat që ishin vënë si parakushte, ndërkohë që pjesëmarrja në programin e shkëmbimit të bonove greke (PSI), e ka tejkaluar synimin”. 

Kështu Eurogrup hapi dritën jeshile për të filluar pagesën e kësteve 3 mujore të paketës së dytë të ndihmës për Greqinë, por Juncker sqaroi se miratimi përfundimtar i marrëveshjes së kredisë së re, do të kryhet të mërkurën, në takimin e ekspertëve të ministrive të financave të Eurozonës. 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.