Rezoluta e PE, inkurajuese por dhe skeptike për Shqipërinë, “ende asnjë bos në burg”

Postuar në 27 Nëntor, 2013 04:29

Ndërsa në Parlamentin Europian shkon një rezolutë që nxit Këshillin e Ministrave të BE-së të pranojë statusin e Shqipërisë, përmirësimet në vend janë të mangëta dhe e vetmja arsye e fortë e eurodeputetëve pro ka të bëjë me inkurajimin e reformave në vend. Sipas diskutimeve, vendi çalon në të njëjtat probleme të vjetra. Asnjë “peshk i madh” apo bos nuk është në burg për krim apo korrupsion, madje as në operacionin masiv kundër lojërave të paligjshme të fatit, asnjë përpjekje serioze e palëve për dialog megjithë rotacionin dhe shenja të mungesës së konsistencës. Nga ana tjetër, për ata që duan të shohin anën pozitive, veç zgjedhjeve normale të qershorit, ka një inkurajim të disa reformave (miratimi i ligjeve), shfaqje e vullnetit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe së fundmi edhe dëgjimin nga qeveria të kërkesave të protestës kundër LHL-ve.

Pikërisht sipas raportuesit për vendin tonë, refuzimi i pranimit për demontim të lëndëve kimike helmuese nga ana e Shqipërisë pas protestave masive është paraqitur në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian si hap pozitiv që dëshmon pjekuri politike. “E nuk ka dyshime për arritjet, pjekuria politike u dëshmua me refuzimin e shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Me gjithë insistimin e SHBA-së, qeveria shqiptare dëgjoi popullin”, u shpreh Nikola Vuljaniç, raportues për Shqipërinë në PE. Raporti i Vuljaniç pritet të shoqërohet me një rezolutë inkurajuese që do të votohet në PE dhe do i kërkojë Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian miratimin e statusit kandidat për Shqipërinë. Por eurodeputetët e Komisionit të Jashtëm ku u diskutua ky projekt nuk ishin të gjithë të kënaqur me hapat e Shqipërisë. Të Gjelbrit holandezë e quanin të pamjaftueshëm dhe “relativ” suksesin e zgjedhjeve parlamentare, ndërsa të djathtë britanikë shprehën rezerva për aderimin e Shqipërisë në Konferencën e Organizatës Islamike. Nga ana tjetër, përtej tentativave për ta paraqitur marrjen e mundshme të statusit si sukses të njërës apo tjetrës palë, raportuesi për Shqipërinë thekson se rekomandimi dhe rezoluta nuk kanë të bëjnë me ndërrimin e qeverive në Shqipëri, ndërsa është tërhequr sërish vëmendje për mungesën e dialogut.

“Në asnjë moment e në asnjë fjali nuk dhashë idenë se përmirësimi erdhi me ndryshimin e qeverisë. Nuk ndodh asgjëkund kështu, as në Shqipëri. Ajo që më shqetëson në marrëdhënien qeveri-opozitë është mungesa e plotë e dialogut dhe ky dialog duhet vendosur nëse duan të ecin para”, tha Vuljaniç. Thuajse të gjithë eurodeputetët kërkojnë garanci që procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i bazuar në dialog dhe pjesa më e madhe janë skeptikë sa i përket kësaj pike. Interesant është fakti se përtej asaj që e paraqesin situatën problematike, pjesa më e madhe e mbështesin këtë hap si diçka që do të inkurajonte ecje të mëtejshme përpara të vendit. Kundërshtarët janë kryesisht të ekstremeve të majta apo të djathta. Të parët nisen kryesisht prej problemeve që ka vendi, përfshi gjakmarrjen që kërkohet të përfshihet në rezolutë nga një europarlamentare holandeze, përfaqësuesve e të Gjelbërve. Të dytët shohim me problem aderimin e Shqipërisë në Organizatën Islamike dhe e shohin këtë si problem në qëndrimet e vendit në OKB.

Por rezoluta duket se do të jetë pozitive. “Për mua ka dy qëllime, së pari për të ndihmuar vendin, duke mbështetur raport-progresin e Komisionit e duke ofruar arsye shtesë ndaj Këshillit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat. Arsyeja tjetër është stabiliteti rajonal e forcimi i pozicionit e politikës së Unionit, që thotë se arritjet duhen respektuar e shpërblyer në rrugën e integrimit”, thotë raportuesi Nikola Vuljaniç. Ndërkohë edhe komisioneri për Zgjerimin, Eduart Kukan mbështet rezolutën por edhe kërkesat për përshpejtim të reformave dhe më shumë garanci: “Ne i bëjmë thirrje Këshillit të njohë progresin e vendit dhe t’i japë statusin kandidat pa vonesë të panevojshme. Por duhet kuptuar gjithashtu me këtë raport se progresi i arritur kërkon më tepër konsolidim e zbatim dhe për reformat e mbetura duhet përshpejtuar miratimi”.

E ndërsa kjo është pamja prej Brukselit, nga Tirana gjërat duket se mbeten të pandryshueshme. BE gëzon mbështetje në 85 për qind të qytetarëve, sipas një sondazhi të fundit nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare. “Sipas sondazhit, ata presin nga ky anëtarësim që niveli i jetesës do të përmirësohet, që punësimi i tyre do të rritet, që ligjet do të zbatohen, varfëria dhe korrupsioni do të luftohen më shumë dhe në tërësi demokracia shqiptare do të forcohet”, shkruan ‘Zëri i Amerikës’. Por, ashtu si eurodeputetët, edhe shqiptarët nuk besojnë që vendi është gati. Më shumë se gjysma e shqiptarëve janë të vetëdijshëm se vendi nuk është ende gati për këtë anëtarësim, megjithatë BE-ja duhet ta pranojë Shqipërinë dhe se kjo do të ndodhë rreth vitit 2020. Drejtuesi i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Albert Rakipi thotë për VOA se krahas dëshirës për të arritur Europën, shqiptarët janë realistë për gjendjen e tyre në këtë proces. Këshilli i Ministrave të BE pritet të mblidhet në dhjetor për të vendosur dhënien ose jo të statusit kandidat për Shqipërinë, apo shtyrjen deri në pranverë. Deri tani diplomacia e vendeve të rëndësishme anëtare ka dhënë reagime pozitive, por nuk mungojnë edhe vendet skeptike.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.