Rama: Çarmatimi i regjimit vrastar sirian, burim krenarie për shqiptarët

Kërkesa - Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara pritet të bëjë kërkesën zyrtare ndaj palës shqiptare për sa i përket shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë
Deklarata
Kryeministri foli dje për herë të parë në lidhje me çështjen e armëve kimike
Fatjona Mejdini
Kryeministri Edi Rama foli dje për herë të parë në lidhje me zërat se armët kimike të Shqipërisë do të shkatërrohen në Shqipëri. Përgjatë ceremonisë së prezantimit të shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Jeronim Bazo në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, Rama theksoi se Shqipëria do të ishte në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe për sa i përket çështjes së çarmatimit në Siri. Sipas Ramës, Shqipëria jo vetëm e kishte detyrim këtë ndihmë, por ajo ishte edhe një burim krenarie. Duke folur për aleancën e afërt që vendi ynë kishte me SHBA-në, Rama u kujtoi shqiptarëve se ishte ndihma e këtij aleati të madh që kishte bërë që shqiptarët të ishin sot më mirë se kurdoherë më parë në Rajonin e Ballkanit. Me këtë qëndrim duket se Rama u hap “dritën jeshile” negociatave për çështjen e shkatërrimit të një pjese të armëve kimike në Shqipëri. Vetë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka pranuar pak ditë më parë se interesi amerikan për këtë çështje ishte i lartë, në kushtet kur vetë sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, kishte telefonuar kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, për të diskutuar në lidhje me këtë çështje. Por edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, pavarësisht se ka preferuar të prononcohet pak për këtë çështje, është treguar aktiv për sa u përket diskutimeve me drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar. Dy ditë më parë, Arvizu zhvilloi një bisedë me Kryeministrin Edi Rama, ministren Mimi Kodheli dhe po kështu Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta, në kuadër të negociatave në lidhje me këtë çështje. Por, pavarësisht këtyre takimeve dhe po kështu deklaratës së djeshme të Ramës, duket se qeveria shqiptare nuk ka një qëndrim zyrtar të marrë për këtë çështje. Gjithsesi, se cili do të jetë vendimi përfundimtar në lidhje me kontaktet që ka marrë pala amerikane për këtë çështje, do të zbulohet shumë shpejt nisur nga fakti se Organizatës së Kombeve të Bashkuara i duhet të bëjë gati brenda nëntorit planin e detajuar për sa i përket kohës dhe vendit ku do të shkatërrohen këto armë.
Vendimi
E dërguara në Siri e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës kundër Përdorimit të Armëve Kimike, Suzan Gosheh, në një intervistë telefonike për “Top Channel” nga Damasku, theksoi se më datë 15 nëntor pritet të mblidhet Këshilli Ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, për të vendosur lidhur me procedurat e shkatërrimit të armëve kimike dhe vendin se ku do të bëhet ky shkatërrim.
Deklarata
Rama theksoi dje, se të ishe i rreshtuar në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte jo vetëm detyrim për shqiptarët, por gjithashtu dhe nder. Kryeministri, në ceremoninë ushtarake, u shpreh se Shqipëria kishte firmosur në OKB marrëveshjen për çarmatosjen e regjimit të Asadit në Siri. “Qeveria jonë i jep rëndësi të posaçme partneritetit strategjik me SHBA-në dhe mishërimi i këtij partneriteti në frontin e NATO-s, nga llogoret e Irakut dhe të Afganistanit te përpjekja për të çarmatosur pa luftë regjimin vrastar në Siri, është jo vetëm detyrim i patjetërsueshëm, por edhe burim krenarie për ne shqiptarët, sepse ne nuk do ta harrojmë kurrë dhe pa asnjë arsye se falë këtij partneriteti dhe falë SHBA-së, si miku dhe aleati me i madh i shqiptarëve, sot shqiptarët janë më mirë se kurrë ndonjëherë më parë, kudo ku ata banojnë në rajonin tonë”, theksoi Rama në të parën deklaratë të tij për këtë çështje.
Situata
Qeverisë shqiptare i duhet të marrë një vendim për sa u përket kontakteve që pala amerikane ka bërë me atë shqiptaren në kuadër të shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, theksoi se qeveria shqiptare ende nuk e kishte marrë një vendim të tillë, por do e bënte këtë në kohën e përshtatshme. Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, ka theksuar se ky vendim do të merret nga qeveria shqiptare në transparencë të plotë.
Për shefin e Shtabit
Rama - “Përzgjedhja e shefit të ri të Shtabit, të cilin kam nderin ta përshëndes sot përpara jush, është bërë me vëmendjen më të madhe, për t’ju dhënë mbështetjen më të plotë, duke ju garantuar përmes figurës së tij, profesionalizëm dhe integritet të lartë në drejtimin tuaj.
Unë kam bindjen se gjeneral Jeronim Bazo, me vlerat e mira, edukimin e lartë, eksperiencën e gjatë dhe përkushtimin e spikatur që ka karakterizuar karrierën e tij, pa as edhe një hije, do të jetë në lartësinë e posaçme të detyrës së re.”
Kundërshtimi
Ambientalistët, sërish protestë kundër qeverisë
Qëndrimi - Përfaqësuesit e kësaj aleance e kanë distancuar veten nga protestat e Partisë Demokratike, duke theksuar se kjo parti nuk ka moralin e duhur për të qenë pjesë e një organizimi të tillë
AKIP është Aleanca Kundër Importit të Plehrave në Shqipëri
Aleanca Kundër Importit të Plehrave do të zhvillojë sot në orën 13:00 një protestë përpara Kryeministrisë kundër importit të armëve kimike në Shqipëri. Kjo aleancë, e cila zhvilloi fushatën kundër importit të plehrave në vend, tashmë është pjesë e aksionit kundër armëve kimike. Përfaqësuesit e kësaj aleance e kanë distancuar veten nga protestat e Partisë Demokratike, duke theksuar se kjo parti nuk ka moralin e duhur për të qenë pjesë e një organizimi të tillë. AKIP do të zhvillojë edhe protesta paralele në lidhje me kundërshtimin e shkatërrimit të armëve kimike në Prishtinë, po kështu dhe në Vlorë. “Në Prishtinë, të martën, më 12 nëntor, në orën 13:00, protestë kundër shkatërrimit të armëve kimike për të gjithë ata që jetojnë në Prishtinë”, theksohet në faqen e rrjetit social “Facebook” hapur për sensibilizim për këtë çështje nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave. Përfaqësuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave po bëjnë përpjekje për të organizuar një protestë kundër ardhjes së këtyre armëve në Shqipëri edhe në Nju Jork përpara selisë qendrore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Totozani deklaroi se çështja është akoma në kuadrin e një debati publik dhe nuk ka akoma një vendimmarrje. Ai u shpreh se do të mbajë një qëndrim zyrtar në momentin e duhur
Avokati i Popullit, Igli Totozani
Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka bërë dje një deklaratë për shtyp lidhur me çështjen e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Duke marrë pjesë në një takim në qytetin e Shkodrës, Avokati i Popullit ka dhënë mendimin e tij, që synonte një zgjidhje të menduar të autoriteteve.
Totozani deklaroi se çështja është akoma në kuadrin e një debati publik dhe nuk ka akoma një vendimmarrje. Ai u shpreh se do të mbajë një qëndrim zyrtar në momentin e duhur. Duke iu referuar deklaratës së Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i cili deklaroi se çdo vendim i marrë në lidhje me shkatërrimin e armëve siriane në Shqipëri do të jetë transparent, Avokati i Popullit u shpreh se ka besim te kjo transparencë. “Meta siguroi se çdo vendim do të jetë transparent. Kam besim te kjo transparencë”, u shpreh Totozani.
Shqip
Add new comment