Procesverbali: Pyetje-përgjigjet në Prokurori të gardistit Fatos Skeja

Postuar në 13 Nëntor, 2013 03:47

Truproja i ish-kryeministrit Sali Berisha, mundi t’i shpëtojë arrestimit në muajin shtator të këtij viti, duke u mjaftuar vetëm me një shoqërim dhe marrje në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda më 16 dhe 17 shtator. Por megjithëse në gjendje të lirë për akuzën e gjobëvënies ndaj djalit të tij të dajës në Paskuqan të Tiranës, për Fatos Skejën dosja hetimore ende nuk është mbyllur dhe verifikimet vazhdojnë. Gazeta “Dita” ka siguruar procesverbalin e marrjes në pyetje të ish-gardistit Skeja nga oficeri gjyqësor Ludovik Ndokaj më 17 shtator të këtij viti. Bëhet fjalë për makinën që efektivi i Gardës kishte marrë në përdorim nga prokurori i Shkodrës, Xhevahir Lita, por që më pas kjo makinë dyshohet se është përdorur në vjeljen e gjobës ndaj biznesmenit shqiptaro-amerikan Ramazan Hima. Makina tip “Benz” u iku gjatë ndjekjes policore më 15 shtator në zonën e Dajtit, në operacionin e dështuar dhe që dyshohet se u dekonspirua. Por ndërsa u gjet pronari i saj prokuror, ky i fundit dëshmoi se ia kishte lënë në përdorim truprojës së ish-kryeministrit. Në këtë dëshmi të dhënë në prokurori nga Skeja, vihet re se si shpjegon ai mënyrën se si ia morën makinën në qendër, e disa paqartësi në shpjegime, si shkëmbimi i mjeteve me prokurorin, dërgimi i çelësave në shtëpi, apo detaje të tjera që për momentin e mbajnë gardistin si të dyshuar në gjobëvënien ndaj të afërmit të tij. Denoncimi për gjobëvënie është bërë nga vetë biznesmeni, që njëkohësisht është kushëri i gardistit. Skeja thotë në dëshmi se nuk ka probleme me djalin e dajës që kishte bërë denoncimin për gjobën 100 mijë euro, se ka qenë në një festë ditën që i morën edhe makinën. Se nuk e kërkoi mjetin më 16 shtator te Policia Rrugore pasi i thanë se ia morën me karroatrec, por u vu në kërkim të tij një ditë më pas.

Ngjarja

Historia e konfliktit nis në mes të muajit gusht të vitit 2013. Vëllait të biznesmenit shqiptaro-amerikan i postohet një letër me plumb dhe i kërkoheshin para, 100 mijë euro gjobë. Shkak dyshohet se është bërë një koncesion i mëparshëm dhe kërkesa e shpërblimit, por edhe konfliktet politike, pasi kushëriri i biznesmenit Hima kishte fituar më 8 maj 2011 zgjedhjet në komunën kala e Dodës në Dibër për partinë Socialiste. Skeja dhe Hima janë djalë daje dhe djalë halle. Historia dyshohet se shkon më 20 gusht tek një vendosje eksplozivi si paralajmërim dhe javën e parë të shtatorit vendoset data e dorëzimit të parave në Dajt. Policia vihet në dijeni me lidhjet e saj dhe më 15 shtator organizohet operacioni i koduar “Dorëzim i kontrolluar”. Pikërisht në kurorën e Dajtit, do kryhej dorëzimi i 100 mijë eurove nga biznesmeni tek personat përkatës që e prisnin me makinë. Skuadra speciale “GOS” ishte në ndjekje të lëvizjeve, por çuditërisht në momentin final autorët zhduken me shpejtësi. Policisë i mbetet vetëm targa e fiksuar, që nga verifikimet rezultoi mjet i prokurorit të Shkodrës, Xhevahir Lita. Ky i fundit dëshmoi se ia kishte dhënë për përdorim pikërisht ditën e ngjarjes gardistit Fatos Skeja. Ndërkohë që nën hetim për dekonspirimin janë edhe efektivët e GOS. Dosja është ende nën hetim.

Dyshimet

Dyshimet e para bien pikërisht mbi Skejën, pasi gardisti është akuzuar edhe për ngjarje të tjera të rënda. Ai është akuzuar nga një kamerier se në vitin 2010 e ka plagosur për shkak se nuk iu përgjigj shërbimit, duke e qëlluar me pistoletë në shpatull. Rasti i dytë është denoncimi i vëllezërve Deda, të të ndjerit Hekuran Deda, që u vra më 21 Janar 2011 në protestën e bulevardit, para kryeministrisë. E akuzuan Skejën se tentoi t’u blinte gjakun e vëllait me para, vetëm që Berisha të pranohej për kafe ngushëllimi në shtëpi. Skeja i paditi në gjykatë, ndërsa prokuroria hapi hetime por nuk i finalizoi kurrë ato. Gjykata dënoi vëllezërit Deda me gjobë, ashtu sikurse në rastin e kamerierit i plagosuri u deklarua po fajtor. Bashkë me dyshimet për gjobën 100 mijë euro, këto bëhen 3 dosje penale në ngarkim të gardistit. Aktualisht Skeja është i shkarkuar nga detyra si gardist prej tre javësh dhe ka paditur ministrin Tahiri në gjykatë për dëmshpërblim.

Procesverbalin e plotë e lexoni sot në DITA print. Faleminderit që na lexoni

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.