PD, nesër në protestë poshtë zyrës së Ramës

Postuar në 10 Nëntor, 2013 04:31

Demokratët kanë angazhuar administratat e bashkive dhe komunave të djathta

Herion Mesi

Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë në fazat e fundit të përgatitjeve të protestës së parë të saj që do të mbahet mesditën e nesërme si formë reagimi ndaj blerjes së votave nga PS-ja në zgjedhjet e 3 nëntorit për kreun e ri të Bashkisë së Korçës. Protesta për votën, që vjen vetëm pas dy muajsh nga kalimi i së djathtës në opozitë, po organizohet në ambientet e selisë blu, ku gjatë ditës së djeshme po punohej me ritme të larta sa i përket përgatitjes së parullave dhe pankartave që do të përdoren nga simpatizantët dhe militantët e kësaj partie në marshimin e së hënës nga kjo seli deri në sheshin para Kryeministrisë, ku koha e protestës që është zgjedhur nga demokratët përkon edhe me takimin që do mbahet nesër në godinën e Këshillit të Ministrave mes komisionerit për zgjerimin, Stefan Fule dhe Kryeministrit Edi Rama. Por protestën e tyre, demokratët nuk e llogarisin si rrezik për statusin e kandidatit në BE të Shqipërisë, i cili pritet të jepet në dhjetor të këtij viti, pas rekomandimit pozitiv të KiE-s në muajin e kaluar. Madje, për statusin demokratët me anë të kryetarit të tyre, Basha, kanë përcjellë një shkresë zyrtare drejt Brukselit.

Administrata

Për të shtuar numrin e pjesëmarrësve në këtë protestë, Partia Demokratike, ashtu si në kohën kur ajo ishte në pushtet, vijon të mos heqë dorë nga përdorimi i administratës së saj vendore. Kjo pasi, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili është njëkohësisht dhe kryebashkiak i Tiranës, mbrëmjen e së mërkurës mblodhi drejtuesit kryesorë të pushtetit lokal të kryeqytetit ku i ka kërkuar që të organizojnë njerëzit, administratën dhe strukturat për të qenë të hënën, në orën 14.00, para Kryeministrisë në një manifestim proteste që do të zgjasë një orë, por që sipas gjasave do të jetë vetëm fillimi i një stine të ashpër politike. Ndërkohë, burime pranë selisë blu thanë dje për gazetën “Shqip” se e njëjta gjë është kërkuar edhe nga bashkitë dhe komunat që drejtohen nga të djathtët, ku kreu i opozitës ka kërkuar që të mobilizojnë punonjësit e tyre në mënyrë që edhe ata t’i bashkohen kësaj proteste e cila shihet nga krerët e PD-së edhe si një mundësi testimi të elektoratit të saj. Por nga ana tjetër, në protestën e opozitës pritet të bashkohen dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias në shenjë solidarizimi me kauzën e re të ngritur nga opozita pas publikimit të pamjeve filmike nga emisioni “Fik Fare”, ku të stafi i PS-së në Korçë shfaqej duke u dhënë lekë studentëve që kishin votuar për kandidatin e majtë, Sotiraq Filo.

Të rinjtë e PD-së

Paraditen e djeshme një grup studentësh, anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, u bënë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre të bashkohen me protestën e opozitës përpara Kryeministrisë, në orën 14:00 të së hënës për të protestuar kundër fenomenit të blerjes së votës, që opozita e ka cilësuar këto ditë si fenomenin e vrasjes së demokracisë. Të rinjtë, kryesisht studentë të Fakultetit të Drejtësisë, u bënë thirrje bashkëmoshatarëve të mos e konsiderojnë këtë protestë thjesht si një organizim të opozitës kundër qeverisë, por si një shans për të protestuar kundër shkeljes së dinjitetit të të rinjve dhe studentëve, si dhe një protestë e njerëzve të lirë. Përveç thirrjes para mediave, në disa kënde të kryeqytetit, të rinjtë demokratë tentuan të bindin edhe nga afër qytetarët, për t’u ngritur në protestë. Në prononcimin e tyre të shkurtër, të rinjtë e PD-së u shprehën dje se me këtë protestë, shqiptarët do të duhet të dëshmojnë se ata e dënojnë blerjen e votës dhe nuk e tolerojnë atë. Duke u bërë thirrje të rinjve të bashkohen në protestë me opozitën, studentët deklaruan gjithashtu, se kjo do të jetë një revoltë qytetare kundër prekjes së standardeve të demokracisë.

Kërkesa

PD i është drejtuar dy ditë më parë Kolegjit Zgjedhor për të kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve të 3 nëntorit për kreun e Bashkisë së Korçës.

Seanca

Paratë false u shpërndanë disa herë gjatë seancës të fundit plenare nga deputetët demokratë, ku nuk munguan dhe akuzat e tyre për Kryeministrin për manipulim zgjedhjesh.

Hetimet

Demokratët janë shfaqur të paduruar deri në përmbylljen e procesit hetimor të nisur nga Prokuroria e Korçës për blerjen e votës dhe, për këtë ata kanë kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar

Vizita në Berlin

Basha kërkon mbështetje për integrimin dhe vë në dijeni Presidentin e BE-së për çështjen “Korça”

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka kërkuar mbështetjen e Presidentit të Këshillit të Bashkimit Europian, Herman van Rompuy, gjatë takimit të zhvilluar ditën e djeshme me të në Berlin, në kuadër të ceremonisë në përkujtim të rënies së Murit të Berlinit. Kryetari i opozitës i kërkoi Presidentit Van Rompuy mbështetjen e tij për Shqipërinë në procesin e integrimit europian dhe në veçanti për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Integrimi europian është procesi më i rëndësishëm për çdo shqiptar dhe se PD dhe opozita nuk do t’i reshtin përpjekjet e tyre, për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt që shqiptarët meritojnë”, theksoi Basha. Zyra e shtypit e PD-së, në njoftimin e saj sqaroi dje se Basha e ka njohur Presidentin Van Rompuy me zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në sulmin e paprecedentë ndaj votës së lirë në Korçë, cenimin e themeleve të demokracisë.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.