Pasojat e krizës, INSTAT: Konsumi ka pësuar rënie të mëtejshme

Kriza e Eurozonës ka ngjallur pasiguri te konsumatorët shqiptarë, ashtu si edhe në pjesën tjetër të qytetarëve europianë. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave konfirmojnë një rënie të mëtejshme të konsumit në vend, një shqetësim i ngritur vazhdimisht edhe nga Banka e Shqipërisë.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë tre-mujorit të tretë të vitit 2011 niveli i shitjeve me pakicë është ulur me 5.5% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Rënia e konsumit është pasojë e pasigurive që ka ngjallur kriza në eurozonë. Banka e Shqipërisë ka konstatuar vazhdimisht, gjatë vitit që lamë pas, por edhe në fillim të 2012-ës, se konsumi dhe investimet private kanë pasur një ecuri të ngadaltë, duke kushtëzuar edhe rritjen nën potencial të ekonomisë.
Në raportin e fundit të politikës monetare, të publikuar nga institucioni mbikëqyrës bankar theksohet se konsumi privat vazhdon të pasqyrojë sjellje hezituese të konsumatorëve në kryerjen e shpenzimeve dhe orientimin e rritur të tyre drejt kursimit.
Banka e Shqipërisë vlerëson gjithashtu se rënia e dërgesave të emigrantëve, gjatë 9 muajve të parë të 2011-ës mund të ketë reduktuar konsumin e një pjese të familjeve shqiptare.
Sipas ekspertëve të bankës, një ndikim negativ në konsum mund të ketë dhënë edhe fatura relativisht e lartë e çmimeve të mallrave të importit, që ka rënduar buxhetin e familjeve shqiptare.
Banka Qendrore u ka bërë vazhdimisht apel qytetarëve që të rrisin konsumin, si një mënyrë për të vënë në lëvizje motorët e ekonomisë, në kushtet e rënies së fluksit të valutës që vjen nga jashtë.
Ballkanweb.com
Add new comment