Obama, në kufirin koreanoverior

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, vizitoi mëngjesin e së dielës zonën e çmilitarizuar midis Koreve, në atë që u konsiderua një shenjë e qartë ndaj veriut, përballë planeve të Penianit për lëshimin e një rakete.
Obama, i cili ka mbërritur në Seul në kuadrin e një samiti për sigurinë, vëzhgoi kufirin e Koresë së Veriut nga një pikë vëzhgimi vetëm disa kilometra larg vijës ndarëse.
Më parë, Uashingtoni ka shprehur shqetësim për lëshimin e raketës që do të bëhët në 15-19 prill. Raketa, e cila mund të përdoret edhe për qëllime ushtarake, do të mbartë një satelit në hapësirë, në ditën e 100-vjetorit të lindjes së liderit të parë komunist të vendit, Kim Il-sung.
Konferenca e sigurisë në Seul do të bashkojë më shumë se 50 lidera shtetesh, ndërsa çështjet kryesore që do të bisedohen lidhen me sigurinë e ruajtjes së armëve bërthamore dhe mundësisë që ato të bien në duart e grupimeve të terrorizmit.
Zyrtarisht, programi bërthamor i Penianit nuk është në axhendë, por zyrtarët amerikanë kanë bërë të qartë se Presidenti Obama do të diskutojë rreth programeve koreanoveriore dhe iraniane në takime dypalëshe me presidentët e Kinës dhe Rusisë.
Vizita e Obamës në kufirin midis Koreve ishte e para nga një President Amerikan që nga koha e Bill Clinton. Ai tha se “trupat amerikane që shërbejnë në këtë vend janë duke mbrojtur lirinë e një populli mik”.
top-channel.tv
Add new comment