Mitrovica, nesër seancë e jashtëzakonshme, KFOR: Do mbrojmë sigurinë

Situata politike dhe e sigurisë në veriun e Kosovës, do të jetë pika e vetme e rendit të ditës nesër, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës.
Seanca është kërkuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në zbatim të Ligjit për vetëqeverisjen lokale dhe Statutit të Komunës.
Ndërkohë që KFOR-i theksoi sot në një komunikatë për shtyp se, "është i angazhuar të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë".
"Më 27 shtator 2011, rreth mesditës, në vendkalimin administrativ në Jarinje (Porta 1), KFOR-i, duke bërë sigurimin e një pike kontrolli të EULEX-it, ishte i detyruar të përgjigjet në mënyrë adekuate ndaj disa veprimeve të dhunshme dhe të rrëmujshme të kryera kundër trupave të tij nga persona të panjohur".
"Ka pasur raporte të konfirmuara të gjuajtjes së gurëve dhe përpjekjeve të dhunshme për të thyer perimetrin e sigurisë së KFOR-it. Më vonë atë pasdite, në drejtim të personelit të KFOR-it qëlluan me armë, si dhe u hodhën mjete shpërthyese drejt ushtarëve të KFOR-it", thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Nëntë ushtarë kanë pësuar lëndime të lehta. "KFOR-i njeh të drejtën për protesta dhe demonstrata paqësore, sidoqoftë, në rastet kur aktivitetet e tilla shndërrohen në të dhunshme, KFOR-i është i gatshëm të reagojë me shpejtësi dhe vendosmëri për të rikthyer një ambient të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes", nënvizohet në komunikatë.
KFOR-i sqaron se, gjatë kryerjes së misionit të tij në përputhje me rregullat strikte të veprimit, ai është i obliguar të mbrojë forcat e veta dhe kategorikisht hedh poshtë akuzat e rreme se ai ka përdorur forcë joproporcionale kundër civilëve të paarmatosur. “Deklaratat që kanë treguar një skenar të tillë janë të papërgjegjshme dhe mashtruese, pasi KFOR-i nuk ka qenë as iniciatori dhe as pala shkallëzuese e konfrontimit"- thuhet në deklaratë, e cila përfundon duke shprehur vendosmërinë se “KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë EULEX-in në ekzekutimin e mandatit të tij në mbarë Kosovën dhe mbetet i paanshëm në mbrojtjen e të gjithë njerëzve në Kosovë, kurdo që është e nevojshme".
Marrë nga balkanweb.com
Add new comment