Meta: Nuk mund t’i imponohet një vendi diçka e pamundur

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta theksoi se Shqipëria nuk do të marrë përsipër përgjegjësi më shumë se ç’mund të përballojë, lidhur me procesin e shkatërrimit të armëve kimike në territorin tonë. I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili, në televizionin “Neës24”, kryeparlamentari Meta nënvizoi se si vend i NATO-s, Shqipëria nuk do të kundërshtojë marrjen e përgjegjësive për t’i dhënë fund krizës në Siri.
A keni një datë se kur duhet të jepini një përgjigje?
Më e rëndësishme për mua është të theksoj qëndrimin tim se Shqipëria do të mbajë ato përgjegjësi që mbajnë supet e saj, apo kapacitete që ajo ka.
A është e vërtetë ajo që thuhet në media se të refuzosh një propozim të SHBA do të thotë kosto politike?
E rëndësishme është gjithmonë qëllimi i këtij propozimi. Që ky propozim së pari të mos dëmtojë interesat e Shqipërisë dhe kjo është detyra e parë e çdo politikani, i çdo të zgjedhuri. Dihet që SHBA janë aleati ynë kryesor strategjik, nuk ka nevojë këtu ti referohemi historisë. Nuk është fjala për një po apo jo, këtu kemi të bëjmë me përgjegjësitë që Shqipëria mund të marrë në lidhje me përgjegjësitë dhe interesat e saj.
A ka interes?
Për Armët kimike, përgjigjia është shumë e thjeshtë, nuk ka interes fare. Por kur flasim për një proces kur ka një angazhim ndërkombëtar për ti dhënë fund një krize me përmasa të mëdha, padyshim që Shqipëria është pjesë e këtyre diskutimeve, është pjesë e ndarjes së këtyre përgjegjësive, por duke marrë ato përgjegjësi që mund të mbajë.
Mendoni që një përgjigje pozitive do ishte një kosto e madhe elektorale?
Kjo është një çështje ku padyshim politika do të thotë fjalën e saj, por padyshim ekspertët do të thonë fjalën e tyre. Dhe mendimi i shoqërisë civile ka peshën e tij. Qeveria ka ndjeshmëri ndaj gjithë lëvizjeve, ndaj dhe sikur e përmendi dhe sot kryeministri Rama ky do të jetë një vendim transparent në çdo rast dhe duke patur në konsideratë edhe mendimin e gjithë këtyre grupeve.
Ne nuk dimë me kë po takohet qeveria, ka shumë pak informacion lidhur me procesin që do të çojë deri në vendimmarrje…
Ka shumë çështje për tu konsultuar. Shqipëria nuk është i vetmi vend me të cilin po diskutohet. Procesi është tepër kompleks.
Kur ju thatë Shqipëria do të marrë aq përgjegjësi mbi vete sa mund t’ja lejojnë supet çfarë donit të thoshit?
Gjëja më e thjeshtë për një vend është të thotë jo, nuk marrim asnjë angazhim. Zakonisht kjo ndodh për vendet të cilat kanë bërë një zgjedhje të caktuar të tyre. Ndërkohë që ne jemi përcaktuar qartë si një vend anëtar i NATO-s. NATO udhëhiqet nga SHBA dhe SHBA janë aleati ynë kryesor strategjik, gjithmonë kanë synuar të mirën e Shqipërisë dhe padyshim që këtë do ta synojnë gjithmonë.
A i ka supet e brishta Shqipëria për të mbajtur një peshë të tillë?
Sipas mendimit tim ne nuk i kemi këto kapacitete dhe kjo do të thotë se përgjegjësitë tona do të jenë përgjegjësi me këmbë në tokë dhe në respekt të mundësive. Nuk mund ti imponohet një vendi për të bërë diçka që është e pamundur. Kurrsesi nuk mund të themi, jo ne nuk ndjejmë asnjë detyrim, nuk marrim asnjë angazhim, sepse atëherë ne do të themi se jemi një vend që gjithmonë kërkon të përfitojë dhe jo të kontribuojë.
qeveria shqiptare akoma nuk e ka sjelle një draft që të diskutohet.
Mapo
Add new comment