Masat për sigurinë në punë, ISHP: Çdo kompani me ekspertë vlerësimi

13 NENTOR 2014 - 17:07
Masat për sigurinë në punë, ISHP:
Çdo kompani me ekspertë vlerësimi
TIRANE- Punonjësit e ndërtimit dhe minierave vazhdojnë të jenë profesionet më të rrezikuara, të cilat çdo vit shënojnë një numër të lartë të aksidentuarish dhe viktimash. Por edhe profesionet e tjera të punës paraqesin risk për shëndetin, siç mund të jetë qëndrimi i gjatë para një kompjuteri.
Bazuar në ligjin për inspektimet, çdo biznes apo kompani punësimi duhet të ketë një ekspert të brendshëm apo të jashtëm, i cili duhet të bëjë kontrolle dhe analiza të problematikave që mund të hasen në punë.
“Me respektimin e Ligjit për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë, çdo vend pune duhet të ketë një lloj analize të problematikave që mund të hasen gjatë punës. Bizneset parashikohen të kenë një ekspert të brendshëm të punës ose edhe ekspert të jashtëm. Profesionet më të rrezikuara deri më tani në Republikën e Shqipërisë janë në sektorin e ndërtimit dhe atë të minierave, por nuk përjashtohen edhe vendet e tjera të punës të cilat kanë risqe të ndryshme”, tha Erion Manohasa, drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës.
Me ndryshimet në ligjin “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, licencimi i ekspertëve për kontrollet në punë nuk do të bëhet nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, por nga Qendra Kombëtare e Licencimit, për të pasur një zbatueshmëri më të madhe të ligjit.
”Ky projektligj ja heq pjesën e licencimit ministrit të MMSR dhe duke ja kaluar qendrës kombëtare të licencimit. Kjo për arsye se pas ligjit të ‘Sigurisë dhe Shëndetit në Punë’ në vitin 2010 ka hyrë në fuqi edhe ligji për licencimin në Republikën e Shqipërisë, i cili detyronte që çdo licencim të kalonte në QKL. Ky projektligj synon zbatimin më të saktë të kontrollit të sigurisë dhe shëndetit në punë nga ana e ekspertëve të cilët do bëjnë vlerësimin e riskut”, tha Manohasa.
Add new comment