Maqedoni, në sheshin “Skënderbe” të Shkupit festime për 'Ditën e Flamurit'

SHKUP - Në kuadër të 28 nëntorit, festës të “Ditës së Flamurit”, në sheshin “Skënderbe” të Shkupit, u mbajt ekspozitë dhe performanca nga nxënësit e shkollave fillore dhe kopshteve në Çair.
Ky manifestim kulturor-artistik i organizuar nga Komuna e Çairit dhe kopshtit “Fidani” në Shkup, mbahet çdo vit për hir të festës së madhe “28 Nëntori”, me këngë, poezi, valle dhe recitale të ndryshme kombëtare, të cilat interpretohen nga nxënësit e kopshteve dhe shkollave fillore të Komunës së Çairit.
Dikur në këto vende shqiptarët nuk kanë pasur të drejtë të zhvillojnë manifestime si “Dita e Flamurit”, ndërsa sot pas asnjë pengesë zhvillohen manifestime të tilla. Kryetari i Komunës të Çairit, Izet Mexhiti, tha se të parëve tanë në të kaluarën i’u kanë munguar këto manifestime dhe janë rritur me këtë mungesë, por brezi i ri i sotëm nuk e ka këtë pengesë.
“Kjo është njëra nga arsyet që jemi përkujdesur që këta fëmijë të shijojnë festat e nëntorit, të rriten me këto festa duke i kultivuar vlerat, duke mësuar historinë shqiptare të lavdishme dhe duke ecur drejt të ardhmes me dinjitet, sepse kjo gjeneratë e re është pa komplekse”, u shpreh Mexhiti.
Mexhiti theksoi se festat e nëntorit shënohen dhe ndjehet në çdo familje shqiptare të Shkupit, në rrugët të cilat janë të zbukuruara dhe stolisura me flamuj kombëtar dhe e gjithë kjo është për një frymëzim më të mirë dhe për një të ardhme më të mirë.
Drejtoresha e kopshtit “Fidani”, Rabije Loku, tha që në kohën e tyre këtë festë e kanë festuar në mënyra të ndryshme grupore nëpër shtëpi, ndërsa sot ky manifestim për fëmijët është një mundësi shumë e mirë që të rriten në frymën kombëtare sepse e ardhmja mbetet në duar e rinisë.
Add new comment