KLD i zgjat dhe dy vjet të tjera mandatin Sashenka Jonuzit

Sashenka Jonuzi nuk do dalë në pension. Ndryshe nga sa ishte lajmëruar se gjyqtarja e Kolegjit Zgjedhor, e cila dha vendimin përfundimtar për Tiranën, do dalë në pension më 5 tetor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur që të zgjasë mandatin e saj edhe për dy vite të tjera. Votimi është bërë të shtunën dhe është mbajtur larg vëmendjes së opinionit publik. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka kërkuar vetë që një vendim i tillë të futet në rend dite. Në KLD ka pasur një debat në lidhje me shtyrjen e mandatit të Jonuzit. Kreshnik Spahiu, nënkryetari i KLD ka abstenuar. Debati ka lindur për shkak se në Kodin Zgjedhor thuhet se mandati i anëtarit të Kolegjit Zgjedhor zgjat për katër vite, aq sa është legjislatura. Ndërkohë Jonuzi duhej të dilte në pension për shkak të moshës. Nga ana tjetër, në Kodin Zgjedhor, për të mbrojtur gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor, është përcaktuar se ata nuk mund të largohen nga detyra për këto katër vite për shkelje apo për paaftësi.
Tema.al
Add new comment