Hidrokarburet, Gjiknuri: Çmimi në treg, në bazë të prodhimit vendas

Tryezë për diskutimin e draftit për rregulloren e aktivitetit të kërkim-prodhimit
Ministria e Energjisë dhe Industrisë mbledh në një tryezë diskutimi të gjithë aktorët që operojnë në fushën e hidrokarbureve, në përpjekje për të vënë “në rregull” këtë sektor aq të përfolur. Qëllimi, sipas zyrtarëve të MEI-t, është diskutimi në kuadër të projektit të hartimit dhe miratimit të “Rregullores për aktivitetet e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Shqipëri”.
Hidrokarburet
Në takimin e drejtuar nga ministri Damian Gjiknuri, morën pjesë drejtuesi i kompanisë “Albpetrol”, drejtuesi i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe përfaqësues të shoqërive që operojnë në fushën e kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në vend. Duke qenë se deri më tani ky aktivitet është monitoruar përmes një rregulloreje të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, drafti i rregullores së re që po përgatitet nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, dhe që më pas do të kalojë në Këshillin e Ministrave, e zgjeron dhe forcon hapësirën e monitorimit duke shtuar aktorët në këtë proces, përfshirë Ministrinë e Energjisë dhe Ministrinë e Financave, insiston në ngritjen dhe forcimin e rrjetit institucional të ekspertizës shkencore për studimin dhe monitorimin në drejtim të shfrytëzimit me efikasitet të rezervave hidrokarbure dhe ruajtjen e mbi/e nëntokës të vendburimeve hidrokarbure. Një tjetër standard që kërkohet është edhe përmirësimi i kushteve të punës që lidhen me jetën dhe shëndetin e punonjësve, ruajtja dhe rehabilitimi i mjedisit në zonat ku zhvillohen operacionet hidrokarbure. Po kështu, hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje imponon organet përgjegjëse shtetërore, por edhe të institucioneve dhe subjekteve që operojnë në sektorin energjetik hidrokarbur për marrjen e masave për parandalimin e ngjarjeve të pakontrolluara, përfshirë fontanat dhe avaritë në puset e naftës, si dhe organizimin dhe funksionimin e njësive të posaçme për përballimin e tyre. Një tjetër pikë ku pritet t’u mëshohet janë konsultat me aktorët e tjerë, si dhe detyrimi i organeve përgjegjëse shtetërore për sektorin fiskal dhe kontabilitetin financiar në sektorin hidrokarbur për të garantuar interesat e shtetit, si dhe për të mbrojtur interesat e investitorëve vendas dhe të huaj në këto aktivitete.
Problemet në sektor
“Ky është padyshim një sektor shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit, por njëkohësisht një sektor që ka ngjallur edhe një debat publik në aspektin se sa po përfiton Shqipëria në këtë drejtim dhe sa po respektohen marrëveshjet e dhëna nga shteti.” Kështu është shprehur dje ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Sipas këtij të fundit, sektori i naftës ka njohur një zhvillim që nuk mund ta mohojmë, prodhimi i naftës është rritur duke kapur rekorde historike. Zbulimet e reja të pritshme e bëjnë sektorin edhe më interesant dhe kjo do të thotë se prodhimi i naftës në Shqipëri do të zërë një vend të rëndësishëm në ekonomi. “Ne si qeveri jemi shumë të interesuar që marrëveshjet hidrokarbure të zhvillohen, që prodhimi i naftës të rritet, por që edhe publiku të marrë atë çmimin që i takon, për shkak të gjithë këtyre burimeve që u përkasin të gjithë qytetarëve shqiptarë. Shpeshherë, këto marrëveshje në të kaluarën kanë ngjallur shumë debate, janë shoqëruar edhe me praktika korruptive. Faktet dhe të dhënat tregojnë se shpesh këto marrëveshje nuk janë respektuar dhe qëllimi i këtij takimi është pikërisht për të diskutuar këtë dokument të parë. Është një projekt-rregullore, e cila ka vite që është punuar, mbase nuk është varianti më i mirë pa marrë edhe mendimet tuaja dhe pa u riparë edhe në prizmin e situatës ku jemi me marrëveshjet hidrokarbure”, tha Gjiknuri. Sipas tij, kjo rregullore do të bëjë të mundur që shteti të forcojë kapacitetet e tij teknike dhe shkencore, normimin më të mirë të shpenzimeve financiare për t’u dhënë fund abuzimeve me rritje të shpenzimeve të pajustifikuara, që shpeshherë i kanë bërë këto marrëveshje që të jenë akoma pa fitim dhe për shumë njerëz. Ndërkohë, në mbledhje është ngritur dhe shqetësimi publik se pse sasitë e nxjerrjes së naftës në vend rriten, ndërsa çmimet vetëm ngrihen. “Unë shpresoj se qeveria shqiptare, pasi ta miratojë këtë dokument, dhe pasi të ketë marrë edhe mendimin e të gjitha kompanive, do të ketë një instrument shumë më të mirë për të marrë interesat më të mira për publikun shqiptar.” B. Spaho
SHQIP
Add new comment