Fyle në Tiranë për të nisur dialogun kundër korrupsionit dhe përparësive të KE-së

Postuar në 11 Nëntor, 2013 03:42

Kërkesa - Eurodeputetja Tanja Fajon e cila ishte në Shqipëri në kuadër të komitetit të përbashkët Shqipëri-BE, kërkoi që në vend të shkojnë pas hekurave zyrtarët e lartë të korruptuar, të quajtur dhe “peshqit e mëdhenj”.
Tryeza - Në Tiranë do të mbahet edhe një tryezë për integrimin e drejtuar nga Kryeministri Rama dhe komisioneri Stefan Fyle. Në këtë tryezë Fyles do t’i paraqiten dhe tri nismat e fundit antikorrupsion.
Delegacioni - Në vend mbylli vizitën një delegacion i përbërë nga përfaqësuesit e 28 vendeve anëtarëve të BE-së të cilat do të vlerësojnë në Këshillin e Ministrave nëse Shqipëria është gati të marrë statusin e vendit kandidat.
Vizita

Komisioneri për Zgjerim zhvillon sot vizitën e tretë për këtë vit në Shqipëri. Takime me të gjithë drejtuesit e shtetit

Fatjona Mejdini

Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefan Fyle, do të jetë sot në Tiranë, për të nisur një dialog për sa i përket detyrimit të Shqipërisë për të përmbushur pesë përparësitë e vendosura nga KE. Në vizitën e tretë të Fyles, e cila është dhe e para në një kohë kur qeverinë e drejtojnë të majtët, bëhet e ditur se theksi do të vendoset tek masat që vendi duhet të marrë në luftën kundër korrupsionit. Fyle pritet t’u kujtojë përfaqësuesve të lartë në vend edhe nevojën e shtimit të përpjekjeve për pavarësimin e sistemit të drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar, atë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe implementimin e reformave në administratën publike. Ai do të nisë të ashtuquajturin “dialog të nivelit të lartë” në lidhje me këto përparësi kryesore të palës shqiptare në kudër të procesit të integrimit. Në mënyrë të qartë, Komisioni Europian i bëri të ditur Shqipërisë muajin e shkuar se këto angazhime janë të domosdoshme për t’u kryer në një kohë kur Shqipëria pret të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor dhe të hapë negociatat për anëtarësim të plotë. Sipas KE-së, vendi duhet të tregojë se ecën përpara në përmbushjen e këtyre angazhimeve për të marrë statusin dhe duhet t’i realizojë ato në mënyrë të plotë për të arritur hapjen e negociatave. Në njoftimin për shtyp të zëdhënësit të komisionerit për Zgjerim, bëhet e ditur se komisioneri do të takohet me Presidentin Bujar Nishani, Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Integrimit, Klajda Gjosha, ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas njoftimit për shtyp, Fyle do të marrë pjesë në një takim me studentë, si dhe në ceremoninë e diplomimit të organizuar nga Akademia Rajonale për Demokraci.

Korrupsioni

Lufta kundër korrupsionit shihet si element kyç që pala shqiptare duhet të plotësojë në mënyrë që t’i hapet “drita jeshile” në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Muajin e kaluar, KE i bëri të qartë palës shqiptare se mes të tjerash duhet që të bëjë përpjekje intensive në luftën kundër korrupsionit, përfshirë krijimin e të dhënave të pandërprera të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve si dhe hetimin e këtij fenomeni në nivele të larta zyrtarësh. Në vigjilje të kësaj vizite të Fyles në Tiranë, qeveria shqiptare mori tre nisma të rëndësishme ligjore që kishin të bënin me luftën kundër korrupsionit. Qeveria mori disa nisma të cilat kërkojnë ndërhyrje në Kodin Penal dhe ku sipas të cilave korrupsioni shqyrtohet si vepër penale nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe se asetet e zyrtarëve që e kanë kryer këtë akt do sekuestrohen dhe konfiskohen ashtu siç bëhet në rastet e krimit të organizuar. Qeveria shqiptare ka miratuar një plan të ri masash në luftën kundër korrupsionit. Në lidhje me këto masa, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha tha se ato ndërmerren për të ecur me shpejtësi në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian dhe do t’i prezantohen dhe shpjegohen edhe komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle në tryezën që do të mbahet në kuadër të nisjes së dialogut të nivelit të lartë në lidhje me këto përparësi kryesore. KE kërkon dhënien e provave të qarta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat muajin e ardhshëm të mos hasë në pengesa.

Procesi

Në dhjetor, Shqipëria do t’i drejtohet për herë të katërt Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për të kërkuar dhënien e statusit të vendit kandidat. Këtë vit, gjasat për vendin tonë janë të mira, në kuadër të plotësimit të 15 prioriteteve kyç të cilat Komisioni Europian i vuri si kusht Shqipërisë për t’i plotësuar për të marrë statusin. Shqipëria arriti të kryejë më 23 qershor të këtij viti zgjedhje të konsideruara të lira dhe të ndershme të cilat ishin një tjetër kusht i KE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat. Por përveç kryerjes së këtyre ‘detyrave të shtëpisë’, pala shqiptare po punon dhe në mënyrë diplomatike për të arritur kalimin e statusit pa probleme në Këshillin e Ministrave të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, kanë nisur një tur diplomatik në ato vende të cilat janë shquar ndër vite për sa i përket njëfarë skepticizmi në kuadër të aspiratës së Shqipërisë për avancimin me shpejtësi në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Franca ka qenë stacioni i parë europian për dy ministrat dhe në javët në vijim pritet që ata të vizitojnë dhe disa vende të tjera europiane. Statusi i vendit kandidat pritet të jetë vetëm një hap në rrugën e Shqipërisë për të hapur negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian. Nuk ka ende një datë se kur Shqipëria mund të hapë këto negociata për të cilat duhet të japë fillimisht prova bindëse në përmbushjen e pesë prioriteteve të reja të vendosura.

5 kushtet për hapjen e negociatave

1- Implementimi i reformave në administratën publike

2- Pavarësia e sistemit të drejtësisë

3- Lufta kundër korrupsionit

4- Lufta kundër krimit të organizuar

5- Mbrojtja e të drejtave të njeriut

Procesi
Shqipëria, ndër vendet e fundit në rajon që pret statusin e vendit kandidat
Shqipëria është një nga vendet e fundit në rajonin e Ballkanit që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Vende si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia kanë vite që janë kandidate dhe janë në përpjekje për të ecur sa më shpejt në procesin e negociatave për anëtarësimin e plotë. Vendi ynë dhe Bosnjë-Hercegovina e zhytur në konflikte etnike dhe Kosova e sapoformuar si shtet janë të vetmet nga rajoni i Ballkanit që nuk e kanë marrë këtë status. Një nga problematikat më të mëdha të vonesës për palën shqiptare ka qenë mungesa e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës në kuadër të nevojës për të miratuar ligje të cilat kërkonin një shumicë të cilësuar, e cila mund të arrihej vetëm nëpërmjet bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës. Vetëm në majin e këtij viti, palët politike në Shqipëri arritën të gjenin konsensusin për miratimin e këtyre ligjeve që mbanin peng Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.