Flet Artan Lame, legalizimet, procesi peng i strukturës së re të ALUIZNI

Postuar në 10 Nëntor, 2013 15:23

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, drejtori i ALUIZNIT, Artan Lame bën të ditur detajet mbi këtë strukturë. Nga ana tjetër, ai shprehet se shqyrtimi i dosjeve të qytetarëve që kanë aplikuar dhe atyre që do t’i nënshtrohen këtij procesi, do të nisë normalisht në zyra nga java që vjen. Lame jep detaje edhe lidhur me mënyrën se si do të veprohet për plotësimin e vendeve vakante në këtë institucion. Për disa ditë, ALUIZNI hapi procedurat për aplikime nga ana e atyre që kanë qenë të interesuar për të punuar në zyrat respektive në 12 qarqe të vendit. Në datën 8 nëntor ky proces u mbyll dhe në faqen zyrtare rezultojnë të kenë aplikuar 368 qytetarë. Të gjithë janë në pritje të procedurave të mëtejshme që do të ndiqen deri në fazën finale të punësimit. Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet në bazë të një konkursi, i cili ende nuk është përcaktuar se kur do të zhvillohet. Pjesa dërrmuese e aplikantëve janë në qarkun e Tiranës, ku numërohen 270 kërkesa për punë. Po kështu, 34 aplikime ka pasur për drejtorinë në qarkun e Durrësit dhe 21 i takojnë qarkut të Vlorës. Në qarkun e Lezhës, për drejtorinë që operon aty nuk është regjistruar asnjë aplikim, ndonëse procesi i aplikimit ka përfunduar.

Kur do të jenë gati zyrat e ALUIZNI-t për të nisur shqyrtimin e kërkesave për legalizim?
Kemi hartuar strukturën e re, e cila është dërguar në qeveri për miratim. Puna do të nisë me miratimin e strukturës së re, ndoshta nga java që vjen. Aktualisht operohet me vendimet e gjykatave, janë qindra gjyqe të hapura. Situatat e mbartura janë tejet të ngarkuara, operohet me sistemin e hartografisë, sistemin e arkivave qe janë lënë të braktisur.

A jeni gati për të nisur punën, duke marrë në konsideratë mungesën e infrastrukturës, e krijuar nga shkrirja e disa drejtorive apo edhe shkarkimet e ardhura si rrjedhojë e ndërprerjes së kontratave?
Ne kemi hapur aplikimet, praktikisht kishte një vit që nuk kishte ëebsite, ne po e rihapim. Aty janë operative pjesa e konkurrimit e të tjera detaje. Mosrinovimi i kontratave erdhi për shkak të mungesës së fondit, në fund të shtatorit po ashtu janë lidhur 200 kontrata të reja. Po kjo nuk u heq të drejtën atyre për të konkurruar sërish.

Kur do të zhvillohet konkursi? Për aplikantët e rinj, çfarë pozicionesh janë disponibël?
Jo, nuk është përcaktuar ende, duhet të akordohemi me Departamentin e Administratës Publike, duke qenë se edhe platforma e konkurrimit është ndjekur nga DAP-i. Lista e pozicioneve të lira do të shpallet pas miratimit të strukturës nga ana e qeverisë. Struktura është dërguar në qeveri.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.