CRCA: Politikanët të japin llogari për vrasjen e fëmijëve! Ja rekomandimet tona

Postuar në 04 Dhjetor, 2013 14:49

TIRANE- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) u shpreh sot e shokuar nga ngjarja e rëndë e ndodhur në një shkollë në Durrës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, CRCA thotë se përgjegjësit kryesorë për gjendjen në të cilën ndodhet siguria e fëmijëve sot në të gjithë vendin, janë politikanët, të cilët sot duhet të japin llogari, për atë që nuk kanë bërë.
“Ngjarja është tregues se dhuna ndërmjet vetë fëmijëve, dhe në përgjithësi, dhuna kundër fëmijëve, ka arritur në nivele të papranueshme, sa ajo tashmë po manifestohet në format e saj më ekstreme, për shkak të mungesës thuajse tërësore të mekanizmave për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna në shoqëri, shkollë dhe familje!”- thuhet në deklaratën e CRCA-së.
Sipas saj mijëra fëmijë të tjerë anembanë Shqipërisë jetojnë nën makthin e dhunës, bulizmit, ndëshkimit dhe abuzimit, dhe rruga ekstreme duket ndonjëhere si e vetmja dalje nga jeta e dhunshme që përjetojnë cdo ditë, duke shtuar se, është e papranueshme dhe e patolerueshme që politikanët të bëjnë sikur kujdesen për fëmijët.
CRCA, ndërsa thekson edhe përpjekjet e saj për të adresuar këtë problematikë, madje edhe dy javë më parë në dy komisione parlamentare, duke kërkuar përgjigje të menjëhershme ndaj situatës, jep edhe këto rekomandime;
- Miratimin me procedura të përshpejtuara në Kuvendin e Shqipërisë të Projekt-ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna;
- Përgatitjen me procedura të përshpejtuara të Strategjisë Kombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Fëmijëve nga ana e Ministrisë së Mirëqenies Sociale;
- Miratimin e menjëhershëm nga ana e Ministrit të Arsimit të Rregullave Standarte të Politikës ZERO ndaj Dhunës në shkollë dhe të procedurave për raportimin dhe eleminimin e saj në çdo mjedis shkollor;
- Miratimin e Rregullave Standart Minimum të Sigurisë dhe Mirëqenies së Nxënësve dhe Mësuesve në Shkollë, ku të përcaktohen rregullat dhe procedurat bazë që çdo fëmijë, mësues dhe person i tretë duhet të respektojë në mjediset shkollore për garantimin e sigurisë personale.
- Ngritjen e Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Dhunës ndaj Fëmijëve pranë Kryeministrisë si një mundësi për të zbatuar të gjithë masat kombëtare dhe lokale për eleminimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve;
- Rritjen urgjente të Buxhetit të Ministrisë së Arsimit për forcimin e shërbimit psikologjik në shkolla dhe të shërbimeve ndihmëse të shoqërisë civile për fëmijët, si një mjet për rritjen e kujdesit emocional dhe garantimin e integritetit fizik të fëmijëve dhe mësuesve në shkolla.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.