Basha me diplomatët e BE-së: Mazhoranca agresive ndaj opozitës

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha e akuzon mazhorancën e sotme për sulme ndaj Kushtetutës, shkelje ligjore dhe agresivitet ndaj opozitës. Basha i bëri komentet gjatë një takimi me Këshillin për Ballkanin Perëndimor të përbërë nga diplomatët e Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në Bruksel të cilët ndodhen në Shqipëri për një mision faktmbledhës mbi hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit Europian të Shqipërisë. Siç njofton zyra e shtypit pranë PD-së gjatë këtij takimi duke u ndalur në çështjen e blerjes së votës nga ana e Partisë Socialiste gjatë zgjedhjeve vendore për Bashkinë Korçë zoti Basha theksoi se “blerja e votës është vrasja e votës së lirë të qytetarëve”. “Partia Demokratike po ndjek të gjithë hapat për ndëshkimin dhe kapërcimin në rrugë ligjore, institucionale të pasojave të rënda të krimit zgjedhor në Korçë, theksoi kryetari i opozitës ne takim, por opozita është e vendosur të ndërmarrë një aksion të gjerë popullor për të ndaluar dënimin me vdekje të zgjedhjeve të lira e të ndershme, nëpërmjet parave të pista të krimit dhe mafias politike në vend”, tha kreu i PD-së.
Basha i njohu diplomatet europianë edhe me ato që ai i cilësoi si ”sulmet e njëpasnjëshme të mazhorancës kundër kushtetutës dhe shtetit ligjor, agresivitetin ndaj opozitës, fushatën e sulmeve ndaj presidentit të Republikës dhe institucioneve të pavarura: KLD, ILDKP, INSTAT, KQZ, AMA etj nga mazhoranca”.
Gjithashtu gjatë këtij takimi kryetari i opozitës u ndal tek emërimet në polici që i cilësoi në kundërshtim me ligjin. Ai përmendi Akti normativ për buxhetin, duke thënë se “është një akt i paligjshëm, i cili pritet të përkeqësojë treguesit e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të cënojë rëndë mirëqenien e çdo shqiptari ishte po ashtu një temë e rëndësishme e takimit”. “Partia Demokratike do te ngrejë qëndresën e saj të palëkundur me të gjitha mjetet ligjore e institucionale kundër sulmit te hapur qe mazhoranca ka ndërmarrë ndaj demokracisë, zgjedhjeve të lira, dhe shtetit ligjor”, deklaroi zoti Basha.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare te BE vlerësuan progresin e Shqipërisë gjatë tetë viteve të mazhorancës së Partisë Demokratike në përmbushjen e detyrimeve për të merituar rekomandimin e statusit te vendit kandidat. Diplomatët e Vendeve Anëtarë të BE-se e konsideruan tepër te rëndësishëm dhe shume inkurajuese modelin e ri të opozitës se sotme ne mbështetje te procesit të integrimit dhe të gjitha aspekteve të lidhura me të.
Mapo
Add new comment