Atentat në Durrës, vritet me 5 plumba biznesmeni 50-vjeçar

Një 50-vjeçar, pronar i një lokali në sheshin “Iliria” në Durrës është ekzekutuar sot nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur pranë Bashkisë së qytetit bregdetar, ku viktimë është Leonard Murataj, i cili është qëlluar me 5 plumba pistolete në derën e lokalit të tij “Center”.
Nga të dhënat e para dyshohet se dy persona të cilët po udhëtonin me një automjet, i janë afruar lokalit në pronësi të viktimës. Në këtë moment, njëri prej tyre ka zbritur nga automjeti dhe i është afruar 50-vjeçarit duke qëlluar 5 herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar edhe vdekjen e menjëhershme biznesmenit. Menjëherë pas kësaj dy autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, e cila është vënë në ndjekje të makinës, dhe nga të dhënat e para, bëhet e ditur se automjeti i atentatorëve, është drejtuar për nga Fushë-Kruja.
Ndërkaq, blutë e qytetit bregdetar kanë shoqëruar për të dëshmuar personat e pranishëm në lokal, si dhe kanë ngritur postblloqe në rrugët kryesore të qytetit. Pista kryesore e hetimeve të policisë është hakmarrja, pasi biznesmeni 50-vjeçar rezulton me precedentë të mëparshëm penalë.
Nga kontrolli paraprak, rezulton se pronari i lokalit "Center" më 2005 akuzohej për vrasjen e Klodjan Saliut. Murataj është arrestuar më 2005 nën akuzën e vrasjes së Saliut, vrasje kjo e ndodhur më 1998, por është lënë i lirë pasi drejtësia nuk arriti të verifikojë veprën penale ndaj tij.
Add new comment