Ambasada amerikane akuzon Kleves Bitron për shitje vizash amerikane

Emri i Klevis Bitros, ish-shefit të kabinetit në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta,lakohet sërish nga drejtësia.
Këtë radhë ka qenë ambasada amerikane në Tiranë që i është drejtuar prokurorisë së Tiranës për të ngritur padi ndaj Bitron me akuzën se ka shfrytëzuar postin e tij për pajisjen e tre shtetasve shqiptarë me viza amerikane, përkundrejt sasive të konsiderueshme parash.
Sipas këtij kallëzimi të bërë nga selia diplomatike amerikane është e provuar se Bitro i ka pajisur këta persona me dokumentacione të falsifikuara si punonjës të ministrisë së punës dhe me pas nga kompjuteri i zyrës së tij ka kryer aplikimet on-line për tre shtetasit identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur nga organi i akuzës së kryeqytetit.
Nga verifikimet e bërë nga prokuroria e kryeqytetit është provuar në bazë të IP së kompjuterit që Bitro e kryente aktivitetin e tij kriminal nga zyra e shtetit, duke plotësuar çdo dokumentacion nga aty. Mësohet nga burime të prokurorisë, se një nga tre personat që është nisur drejt Amerikës më këto viza është kthyer nga autoritet amerikane në Shqipëri, ndërsa për dy të tjerët ende nuk ka asgjë të dhënë.
Mendohet që dëshmia e këtij personi do të jetë me tepër vlerë për prokurorët e çështjes, pasi do të hedhë dritë mbi shumë fakte duke filluar nga plotësimi i dokumentacionit deri tek shuma që kanë paguar tek Bitro për të përfituar një vizë amerikane.
Bitro është shpallur në kërkim në 5 tetor të këtij viti dhe po hetohet bashkë me 4 ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punës për akuzën e korrupsionit e shpërdorimit të detyrës.
Shqip
Add new comment