ALUIZNI, ryshfet në ccdo hap. Ish-drejtori Agim Berisha: Njerëzit u zhvatën

Postuar në 11 Gusht, 2013 04:01

Ish-drejtori Agim Berisha: Dritëhijet e ALUIZNI-t. Legalizimet, listat me emra të publikuara janë gënjeshtra, zvarrisin dosjet për ‘oferta’

ARD KOLA

Edhe pse ka shumë revoltë brenda, mundohet të jetë i kujdesshëm kur flet, madje e tepron me nënkuptimet e shumta. Njëri prej arkitektëve të legalizimeve, në fillim të procesit, që udhëhoqi me mijëra dosje për Tiranën, sot flet me hidhërim për dështimin e ALUIZNI-t. Inxhinier Agim Berisha, ish-drejtor për Tiranën, më tej në Drejtorinë e Përgjithshme të ALUIZNI-it, tregon hapur fenomenin e korrupsionit që ka prekur agjencinë, mungesën e motivimit për të punuar, arrogancën dhe deri te pasojat ekonomike sociale që i shkaktuan shtetit dhe individit.
Berisha përmend edhe një fakt të hidhur, që sipas tij, listat e publikuara në media për gjoja “tapi”, nuk janë gjë tjetër veçse një “karrem” për të tërhequr individin në skemën e zvarritjes dhe burokracisë, për realizimin final të “ofertës”.

Po kalojnë shtatë vjet nga procesi i legalizimeve, por më shumë se zgjidhje, krijoi stres te njerëzit. Si ndër të parët e këtij procesi, çfarë shkoi keq me reformën e nisur nga qeveria “Berisha”, e cila së fundmi humbi dhe zgjedhjet?

Pranova t’u përgjigjesha pyetjeve duke marrë shkas nga historia plot “humor”, që artisti i nderuar B.K. u tregonte këto ditë te recepsioni i ALUIZNI-t disa “bashkëvuajtësve”, për “ofertën” që i kërkuan të jepte në “tenderin” për lejen e shtesës së tij. “Dhashë ofertën” – tregonte artisti, por “shefi duke ngritur këmbën më thoshte më lart, më lart”.
Si zotëria i nderuar që nuk më njeh, kisha parë çdo ditë, para, dhe sidomos pas zgjedhjeve, qytetarë të ulur në stolat e ALUIZNI-t, që flisnin për “oferta” të tilla. Unë e ndjeja impaktin e ecurisë të reformës së legalizimeve dhe arrogancën e shfaqur ndaj qytetarëve që kërkonin formalizimin e pronave në këto zgjedhje dhe habitesha me indiferentizmin “budalla” ndaj finalizimit të procesit dhe lejimit të trajtimit të procedurave sipas “shijeve” personale të punonjësve të ALUIZNI-t, megjithëse lidhej me 300 mijë familje, një “rezervë” kjo e madhe elektorale.
ALUIZNI lindi, si domosdoshmëri për t’i dhënë fund informalitetit të 20 viteve në ekonomi, që po konkurron padrejtësisht pjesën formale dhe ligjore, lindi si kërkesë humane, të çlironte mbi 40% të popullsisë nga “prangat e pronës” së tyre informale, që po i persekuton prej vitesh edhe përmes politikës, lindi si kërkesë sociale të zgjidhte problemin e pronave të tjetërsuara prej vitesh, por edhe zgjidhjen e problemit të mbi 100 mijë trashëgimtarëve të ligjshëm, pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje, por kjo kërkonte patjetër një afat të përcaktuar.
Vërehet zvarritje e procesit dhe nga sa tregoni, duket sikur nuk ka pasur interes për zgjidhjen e legalizimeve?

Edhe pse kam qenë “nismëtar” dhe kam punuar në periudhën më të vështirë, por më të suksesshme të ALUIZNI-t, prej kohësh më mundon një pyetje: ALUIZNI është pro apo kundër legalizimeve? Isha dyshues ngaqë shpesh më dukej sikur kjo Agjenci, më shumë se për informalitetin, u krijua për t’u gjetur punë disa njerëzve, që mund t’i jepnin ALUIZNI-t tagrin e një qeverie paralele, isha dyshues kur shihja shpërfilljen që tregohej ndaj “vjeljes” së investimit moral e atij material prej miliona eurosh, të bërë për këtë proces.
Ngrini shumë kritika, madje edhe akuza për ryshfet, duke qenë se edhe ju zoti Berisha ishit pjesë e këtij sistemi, kësaj strukture…

Ajo çfarë them, deklaroj është një perceptim, nisur nga sa shikoj dhe dëgjoj si reagim i qytetarëve. Unë nuk akuzoj, por flas në respekt të procesit, pas të cilit ne punuam me pasion, flas për ata që kanë veshë dhe si detyrim ndaj atyre qytetarëve, që shpesh më qajnë hallet, por kjo është e vetmja që mund të bëj për ta.
Më lejoni t’ju sqaroj se në fillimet e ALUIZNI-t, për rreth një vit e gjysmë që kam qenë drejtor i Tiranës, mbi bazën e një programi të miratuar dhe të ndarë në disa faza, duke punuar me tre turne, e sidomos nga normimi individual për çdo specialist, bëmë një punë të paimagjinueshme as nga ne “idealistët”. Në fazën e parë, brenda një kohe relativisht të shkurtër, ne konstatuam, matëm në terren dhe skicuam mbi 70 mijë pasuri. Nga qytetarët në çdo shtëpi priteshim si “çlirimtarë”. Përditësuam hartat me emrat e pronarëve të objekteve informale, ndërtuam database-n e informalitetit dhe përgatitëm gen-plane dhe planimetri për të gjitha pasuritë. Në fazën e dytë mbi bazën e dokumentacionit tekniko-ligjor të përgatitur nga ne, qeveria, miratoi me VKM për kalim pronësie rreth 45 mijë pasuri vetëm për Qarkun e Tiranës, që ishin më shumë se kalimet e pronësisë për 11 qarqet së bashku. Ky është hapi i parë dhe kryesori, pa të cilin nuk mund të vazhdosh fazat e tjera të procesit të legalizimeve.

Çfarë ndodhi më pas?

Për tre vjet që jam larguar u miratuan rreth 2-3 mijë dosje. Shumë më pak nga sa bënim ne në një muaj. Në fazën e tretë, përgatitëm dhe njoftuam me anë të medias me mijëra qytetarë për të marrë faturat e pagesave të legalizimeve përmes postës, vetëm për Bashkinë e Tiranës ishin mbi 10 mijë dosje. Për tre vjet që jam larguar janë dhënë rreth 10-15% e tyre. Përcaktuam gjithashtu numrin e objekteve, që sipas përcaktimeve të ligjit, nuk legalizohen. Të gjitha këto me një kosto 10-100 herë më lirë se drejtoritë e qarqeve të tjera. Shifra që flasin shumë, për punë të realizuara në më pak se dy vjet. Në qershor të vitit 2010, një nga ministrat më kërkoi afatin e përfundimit të legalizimeve të Tiranës. Përgjigjja ime thyente çdo parashikim: “Në fund të dhjetorit të 2010-s ne do t’u japim faturat e pagesave të legalizimeve të gjithë qytetarëve të Tiranës”, – iu përgjigja. Pas pak ditësh, më kërkuan të largohem si drejtor!
Kërkesën e prita me qytetari, megjithatë SMS-të nuk munguan, një pjesë e të cilave i ruaj edhe sot. “Lopën që mbushe me qumësht nuk mund ta mjelësh ti”, ishte një SMS. Këto ditë, pas përfundimit të zgjedhjeve, mësova se në kohën para largimit ka pasur organizime kundër meje, për të hartuar letra anonime dhe peticione, madje dhe kërcënime. Nga këto kuptova se isha në vendin dhe kohën e “gabuar”.

Atëherë ju thoni se zvarritjet kanë qenë të qëllimshme dhe kush punonte, “ndëshkohej”, si rasti juaj, pra dalim në përfundimin se ALUIZNI u krijua për të tjera “qëllime”?

Jo! Për hir të së vërtetës, në fillimet e krijimit, qeveria u tregua e pakursyer me fondet e vëna në dispozicion të Agjencisë së Legalizimeve, me synim realizimin me sukses të reformës. Por harroi një gjë themelore. Afatin!
ALUIZNI-t iu lanë në dorë vlera të mëdha dhe të “frikshme” financiare për t’u administruar nga taksat dhe tarifat, që arrijnë në 50 milionë dollarë. Me këtë “fuqi” të dhënë nga qeveria, Agjencia, brenda një kohe të shkurtër, u shndërrua në një “kështjellë” gjigante informacioni për pronat e pronësinë, por dhe institucion “prodhues” pronash e pronarësh, i ngritur mbi bazën e fotografimin ajror dhe konstatimit në terren. Po në këtë kohë u lidhën shumë marrëveshje bashkëpunimi me agjenci analoge të huaja, e shumë nga ne specialistët u dërguam për përvoja jashtë vendit, si në Francë, Kroaci, Hungari e deri në Kili, në vendin e Desotos, babait të teorisë së futjes në përdorim të informalitetit, duke krijuar një armatë specialistësh të aftë.

Çfarë mund të na thoni për stafin?

Sikurse thashë, ALUIZNI u bë një “kështjellë”, por u “gërrye” nga banorët e saj. Ky proces sot, duhej të ishte i “harruar”… Qeveria, kohët e fundit, ndjeu ngërçin e ALUIZNI-t, dhe ndërhyri për ta bërë më fleksibël, duke e çliruar nga disa “pranga” të panevojshme centralizimi, përmes kalimit të kompetencave të dhënies së lejeve të legalizimit drejtorive “sekondare”, madje dyfishoi numrin e tyre pa analizuar stanjacionin e procesit. Kjo ndërhyrje duhej ta kthente ALUIZNI-n në agjenci shërbimi, por rezultoi mision i pamundur, sepse u shtuan edhe disa hallka të tjera bllokuese, me shumë drejtorë dhe shefa, të përzgjedhur jo sipas meritokracisë, por sipas “shijes” personale të drejtuesit.
Ndryshimet e drejtuesve u shoqëruan me përpjekje, për të hedhur poshtë punën e paraardhësit me argumente qesharake, madje iu kushtua mjaft kohë. Nën shembullin e tyre, specialistët filluan të fshehin punët e bëra, madje edhe emrat nga databasa, për të zvarritur procesin, e për të detyruar qytetarët “të zvarriten” para tyre, për një skicë terreni, një akt-kualifikimi, një planimetri, dhe akoma më tej, duke rritur “dozën” për një kalim pronësie apo një kompensim me VKM. Kjo solli zvarritje pa limit të procesit, me dëm ekonomik duke bërë rishpenzime për një punë të kryer më parë, si dhe revolta të qytetarëve, nga stresi edhe nga matja për të disatën herë të së njëjtës pasuri.
Pati emërime të reja, jo mbi bazën e meritokracisë, por miqësisë me drejtuesit. Mes tyre kishte edhe nga ata që nuk plotësonin as kriteret morale. Shpesh këto emërime më ngjanin si tenderët.
Shumë nga ata që ishin specializuar prej vitesh, i larguan hapur pa motiv, për të ardhur në vendin e tyre, naftëtarë, shoferë, zooteknikë, oficerë, juristë e ekonomistë pa vende pune, specialistë pa përvojë, madje edhe pensionistë, shumica nga vinte drejtuesi, e jo vetëm, por postet komanduese i zgjodhën po këta, që shfaqnin arrogancë e fodullëk ndaj qytetarëve, pavarësisht nga profesionalizmi, madje njëri nga ata i hakërrehej një qytetari të revoltuar: “Ne këtu do jemi përsëri, sepse nga ne doli kryeministri”. Kurse gjykata vazhdon të “dënojë” shtetin me 15 deri 20 paga për çdo të larguar padrejtësisht nga puna.

Megjithatë, duhet thënë se në kulmin e fushatës, ALUIZNI publikoi një mori me lista emrash të personave që fitonin të drejtën e tapisë?

Publikimi i emrave në media është një mashtrim i madh, pasi brenda ka një të vërtetë të hidhur. Çdo javë mediat publikonin emrat e atyre që u “legalizohet” shtëpia, për shumë prej tyre, emri përsëritej disa herë, kurse në disa gazeta thuhej: Emrat e atyre që marrin “tapitë”. Këto lista të publikuara shtoheshin si përqindje te statistikat e ALUIZNI-t, pasuri që kanë marrë lejen e legalizimit, madje shkonin dhe më tej duke plotësuar në kompjuter dhe lejen virtuale të qytetarit. E vërteta është se emrat që publikohen në gazetë, jo për tapi që nuk ishin, por as për leje legalizimi, sepse ishin pa faturat e pagesave.
Në fakt, skema ishte krejt ndryshe. Pas daljes së emrit në gazetë, qytetari, duhet të takojë “kompetentët” pranë drejtorive, për t’i përgatitur faturat e pagesave, të cilët e nisnin procesin nga fillimi me marrjen e statusit të parcelës… Një rrugë e vështirë e plot stres.
Gjithçka ishte gati e sajuar, pasi në kohën kur publikoheshin me mijëra emra në media, duke ftuar qytetarët për pagesa, qëndronin me qindra në radhë, te zyrat e ALUIZNI-it prej disa muajsh. ALUIZNI dukej i merakosur dhe bënte apele, sipas listës, kur e vërteta ishte krejt tjetër, pasi një numër i madh qytetarësh, që kanë pronësinë e truallit së bashku me ndërtimin informal, nuk u jepet fatura, edhe pse pagesa e tyre ishte simbolike, apo mijëra të tjerëve që kanë bërë pagesat, e nuk u japin lejet e legalizimit.
Detyra e ALUIZNI-t është të përfundojë dosjet së bashku me faturat, përmes normimit dhe të njoftojë qytetarët përmes rrjeteve sociale apo postës, siç patëm ndërtuar ne një praktikë bashkëpunimi.
ALUIZNI ka për detyrë edhe kompensimin e pronarëve të ligjshëm, një detyrim minimal ndaj atyre, që u janë zënë pronat nga ndërtimet informale, e që fisnikërisht kanë pranuar ligjin e legalizimeve, por edhe për këtë të drejtë të ligjshme, pronarët “zvarriten” nga një zyrë në tjetrën, me teoritë e mbivendosjes apo të statusit juridik.

Qeveria e re ka premtuar legalizim falas. A i jep zgjidhje kjo procesit?

Nuk mund të jap një vlerësim të saktë, në kushtet kur nuk di se cilat janë kategoritë që do të përfitojnë. Megjithatë, që Rama e ka premtuar një gjë të tillë, një plan duhet ta ketë se si do ta realizojë. Por unë po bëj një arsyetim ekonomik dhe social, duke marrë shkas nga ky premtim. Ka tre lloj të ardhurash nga procesi i legalizimit. E para, të ardhura që vijnë nga pagesa e parcelës së zënë nga ndërtimet informale, që 80% e saj përdoret për kompensimin e pronarëve të ligjshëm, pronat e të cilëve janë zënë nga këto ndërtime dhe 20% kalon në buxhetin e shtetit. Kjo vlerë në shumicën e rasteve, për shkak të përdorimit të letrave me vlerë në masën 70%, është simbolike krahasuar me çmimin real të tregut dhe arrin në 120 mijë lekë të reja për 300 m² në zonat urbane dhe po kaq për 500 m² në zonat rurale. E dyta, pagesa për taksën e ndikimit në infrastrukturë, është pagesa për sipërfaqen e ndërtimit që shkon diku te 150 lekë/m², e cila përdoret nga njësitë e qeverisjes vendore për studime urbanistike për zonat e ndërtimeve informale. E treta, të ardhura që vilen nga ALUIZNI, nga pagesa e tarifës së shërbimit prej 4 mijë lekë/kat, e cila pothuajse është shpenzuar e gjitha nga ALUIZNI, për shkak të vonesës së gjatë, madje disa herë qytetarët, nga “dëshira” për legalizimin e objektit, e ripaguajnë, si dhe pagesat prej 6 mijë lekësh, për marrjen e lejes së legalizimit, e cila u bë për mendimin tim për të mbajtur ALUIZNI-n ngaqë kishte shpenzuar paratë e para pa u mbuluar me punë. Edhe kjo është vjelë në disa raste pa u marrë leje.
Po të nisesh, duke bërë krahasimet mes të ardhurave nga procesi i legalizimeve për ALUIZNI-n, me kursimet nga pagesat e bëra për një “ushtri” që shpesh arrin në 1000 vetë, si dhe pagesat për shpenzime të ndryshme që po zgjatet padrejtësisht nga ALUIZNI, gjithmonë ia vlen të bëhet falas, sepse së pari zgjidh problemin e formalizimit të pronave dhe heq stresin e qytetarëve, së dyti ndërpret gjithë ato shpenzime për paga dhe shpenzime të tjera administrative e bazë materiale, që llogariten me qindra milionë në muaj, dhe së treti efektet pozitive post-legalizim janë të mëdha, për shtetin dhe për qytetarin që legalizon pronën.

Shpesh këto emërime më ngjanin si tenderët. Shumë nga ata që ishin specializuar prej vitesh

Artistit të nderuar B.K. i kërkuan të jepte një “ofertë” në “tenderin” për lejen e shtesës së tij

Një numri të madh qytetarësh, që kanë pronësinë e truallit, nuk u jepet fatura për pagesën e lejes

Shqip

Comments

Submitted by Luiza (not verified) on

<p>puuuuuuuuuu kush flet ik mor hajdut i paafte medioker .</p><p>Ti ishe koka e korupsionit ti i mblidhje parate e korupsionit dhe i shperndaje pastaj&nbsp; mor pis zemer zi qelbesire ne cdo mbledhje maratone qe beje thoje se ka mare dikush 15 mije euro .tete mije euro shifra maramendese per ne qe degjonim dhe te nesermen mernim vesh qe ato i kishe mare ti me shok mor qen ....ne burg duhet te shkoni fara juaj ndryshe ska qetesi ne ket vend mor malikat</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.