Agolli: Duhet reagim i fortë për armët kimike, mjafton të kujtojmë rastin e Gërdecit

Postuar në 10 Nëntor, 2013 04:35

Shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, shprehet kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Në një intervistë për “Panoramën”, Agolli thotë se opinioni publik dhe shoqëria që të reagojnë fort ndaj një kërkese të tillë të bërë ndaj Shqipërisë, duke kujtuar se vetëm nga shpërthimi i barutit në Gërdec humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.

“Shqipëria edhe pa ato armë që mund të vijnë, është gjithmonë në rrezik, sepse qëkur janë shpikur armët, në vendin tonë mund të gjesh edhe nëpër gropa armë. Kështu që bëhet dhe një kat tjetër me armë edhe më të rrezikshme. Pas armëve kimike vijnë armët atomike. Ne presim tani që të na sjellin dhe armët atomike, pasi tek armët kimike mbërritëm. Nëse do të pranojmë që të shkatërrojmë armët kimike, s’do të na duket çudi që të presim të na ofrojnë dhe armët atomike për të çmontuar”, shprehet ai.

Lidhur me qëndrimin e politikës për armët kimike, Agolli shprehet se janë kundër si e majta, edhe e djathta, por nuk shprehen, sepse nuk duan të etiketohen si antiamerikanë.

“Të dyja palët kanë frikë të shprehen, sepse po ta bëjë njëra palë, do të thonë pastaj: Ja këta janë antiamerikanë. Po ta bëjë tjetra, do t’i akuzojnë po ashtu të njëjtën gjë. Kjo është si ajo tërheqja e litarit, kush do ta tërheqë i pari. Por në ndërgjegje ma merr mendja se të dyja palët kanë të njëjtin qëndrim, sepse në fund të fundit mendojnë për jetët e tyre, por dhe të pasardhësve të tyre. Sepse pas këtyre armëve, nuk do të ketë më as Parlament, e as shoqëri pluraliste dhe asgjë. Ndërsa i gjithë populli mendoj se është kundër dhe nuk pyet se i cilës parti është dhe kë përkrah. E mira është të thuhet hapur, siç bëri kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, që tha se “ne nuk kemi shpatulla të mbajmë një peshë kaq të madhe”. Po të duan që të shkatërrojnë armë konvencionale, fishekë apo armatime të tjera, në Shqipëri mund të bëhen. Por ne kemi një histori të hidhur nga e cila të gjithë duhet të kenë nxjerrë mësim. Me çmontim predhash dhe me barut u vranë në Gërdec 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Me shpërthim baruti ajo tokë atje u bë për disa vjet joproduktive. Po të ndodhë ndonjë incident me armët kimike, e imagjinoni se ç’mund të ndodhë?! Madje unë pashë në lajme në një fshat në kufi mes Beratit dhe Skraparit, ku nga përdorimi i shpërthimeve për të hapur një gurore, kafshët, lopët dhe delet pillnin viça dhe qengja të ngordhur vetëm nga efekti dëmtues i lëndëve shpërthyese”, thotë Agolli.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.