21 janari, vëllezërit e Hekuran Dedës, kallzim gardistit

Postuar në 28 Shkurt, 2012 07:00

Vëllezërit e Hekuran Dedës, një nga katër viktimat e ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit 2011 nuk kanë aspak ndërmend të ndalen derisa të gjejnë drejtësi për gjakun e humbur të njeriut të tyre të dashur. Zabit, Hilmi dhe Agim Deda i janë drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal ndaj gardistit Fatos Skeja, të cilin e akuzojnë për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”. Vëllezërit e viktimës, pretendojnë se Fatos Skeja dy ditë pas vrasjes së vëllait në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, para godinës së kryeministrisë u ka vajtur për ngushëllim. Sikurse saktësohet në kallëzim, vëllezërit e Hekuran Dedës, i ka komunikuar në telefon miku i familjes, Behar Spahia, i cili u ka thënë se do të vinte për ngushëllim në një orë të vonë të mbrëmjen me një mikun e tij. 

Kështu, mbrëmjen e 23 janarit Fatos Skeja ka mbërritur në familjen Deda dhe sipas zakonit ka pirë kafen e ngushëllimit. Më pas, ai ka dalë jashtë dhe u ka kërkuar vëllezërve të Hekuran Dedës që të prisnin për ngushëllim kryeministrin. Në favor, ai u ka premtuar jo vetëm favore ekonomike, por edhe emrin e foton e vrasësit. Sipas vëllezërve Deda, gardisti Skeja, që është nga e njëjta zonë sikurse dhe ata ka këmbëngulur që ta prisnin kryeministrin pa bujë, pa praninë e kamerave, vetëm që ai të vinte për ngushëllim. Madje, ai i ka siguruar vëllezërit Deda se me 21 janar ka qenë në tarracën e kryeministrisë dhe ka parë se nga ka ardhur plumbi, kështu që kishte dijeni për emrin e vrasësit. Pavarësisht këmbënguljes së gardistit Skeja, vëllezërit e Hekuran Dedës nuk e kanë pranuar marrëveshjen. Madje, ata sqarojnë në kallëzim që i kanë kërkuar mikut të tyre që i kishte ndërmjetësuar se nuk duhet të pranonte asnjë marrëveshje, pasi nuk do të shisnin gjakun e vëllait. “Fatos Skeja më erdhi në shtëpi dhe më tha se e njihte vrasësin e vëllait tim. Më premtoi se do më sillte fotografinë. Kaloi më shumë se një vit dhe nuk e bëri një gjë të tillë. Ndaj vendosëm t’i drejtoheshim prokurorisë. Ne prisnim që prokuroria të hetonte për këtë fakt, pasi ne bëmë publike emrin e një njeriu që kishte dijeni për vrasësin e njeriut tonë”, - tha dje për “GSH” Zabit Deda, vëllai i të ndjerit Hekuran Deda. Ai sqaroi se, për një kohë të gjatë priti që pas denoncimit të këtij fakti publikisht prej tij, prokuroria të reagonte, por një gjë e tillë nuk ndodhi. “Askush nuk na thirri për të na pyetur edhe pse ne e thamë publikisht se Fatos Skeja na tha se dinte emrin e vrasësit të vëllait tonë”, - shprehet më tej ai. “Ne, - thekson Zabit Deda, – presim që prokuroria të hetojë dhe të hedhë dritë mbi vrasjen e vëllait tonë”. 

Zabit Deda e denoncoi pak muaj më parë publikisht Fatos Skejën, duke nxjerrë në dritë marrëveshjen që ai i kishte propozuar vetëm dy ditë pasi vëllai i tij Hekurani ishte vrarë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Skeja në kundërpërgjigje iu drejtua gjykatës duke kërkuar dëmshpërblim moral, për akuzat sipas tij të pavërteta që kishin hedhur në emrin e tij pjesëtarët e familjes Deda. Padia civile e gardistit Skeja po shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës.

 

Klodiana Lala

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.