“Burg pa afat” për biznesmenin Arben Frroku

UPDATE- Pas ekstradimit nga Greqia, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë i ka komunikuar sot masën e sigurisë “burg pa afat” biznesmenit, Arben Frroku.
Seanca gjyqësore ndaj biznesmenit te akuzuar për vrasjen e kryekomisarit të Policisë, Dritan Lamaj, është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur rreth 2 orë.
Gjatë seancës, biznesmeni Arben Frroku ka paraqitur edhe njëherë pretendimet e tij se nuk ka lidhje me ngjarjen, dhe se në momentin që ka ndodhur ngjarja ai ka qenë shumë larg vendit të vrasjes, duke udhëtuar drejt Greqisë. Por, Prokuroria nga ana tjetër pretendon se ka prova të forta që e përfshijnë Frrokun në vrasjen e kryekomisarit të Policisë, Dritan Lamaj.
Të pranishëm në seancën e sotme ishin edhe familjarë të të akuzuarit, Frroku.
Biznesmeni Arben Frroku dhe i afërmi i tij Jak Jaku u arrestuan nga policia greke në Selanik më 25 shkurt 2013.
Ndalimi i tyre ndodhi një natë pasi në Tiranë ishte vrarë kryekomisari i Policisë, Dritan Lamaj. Policia tha se pak minuta pas vrasjes, Arben Frroku ka folur në telefon për “një punë të mbaruar” dhe ka udhëtuar për në Greqi, ndërkohë që ka pasur konflikte të ashpra me zyrtarin e vrarë të Policisë. Pas arrestimit Frroku i mohoi akuzat, ndërsa gjykata greke dha leje për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Prokuroria shqiptare nuk i mbyll dot hetimet pa marrë në pyetje biznesmenin e dyshuar, i cili është mbajtur në paraburgimin grek në pritje të vendimmarrjes politike të Ministrisë greke të Drejtësisë.
Panorama
Add new comment