Frika nga AfD, Gjermania merr masa për të shmangur bllokimin e planeve të NATO-s në rast krize
Qeveria e kancelarit gjerman Friedrich Merz po përgatit masa për të garantuar që planet e NATO-s për mbrojtjen e krahut lindor të mos pengohen nga qeveritë rajonale, mes shqetësimeve se partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) mund të fitojë kontrollin e disa landeve në zgjedhjet e shtatorit.
Sipas një investigimi të përbashkët të The Telegraph dhe Die Welt, zyrtarët gjermanë druhen se, nëse AfD siguron shumicën absolute në Saksoni-Anhalt ose Mecklenburg-Vorpommern, ajo mund të përdorë kompetencat mbi sigurinë e brendshme dhe policinë për të ngadalësuar lëvizjen e trupave dhe pajisjeve të NATO-s. Kjo mund të ndodhë përmes vonesave burokratike në dhënien e lejeve, mosangazhimit të forcave policore dhe mosdhënies së përparësisë ushtrisë në rrugët lokale.
Zyrtarët e NATO-s, sipas raportit, disponojnë informacione që sugjerojnë se presidenti rus Vladimir Putin mund të përpiqet të përdorë aleatët e tij politikë për të penguar reagimin e aleancës në rast të një sulmi ndaj krahut lindor. Për këtë arsye, qeveria e Merz po përgatit mekanizma që do t'i lejonin të anashkalonte kompetencat vendimmarrëse të qeverive rajonale gjatë krizave, si edhe masa për mbrojtjen e zyrtarëve kyç dhe infrastrukturës strategjike. Gjermania konsiderohet "rrethrrotullimi i NATO-s", pasi nëpër territorin e saj kalojnë korridoret kryesore logjistike drejt kufirit lindor të aleancës.
"Politikanët që janë pro Kremlinit mund të vonojnë përpjekjet e NATO-s për të vendosur trupa me shpejtësi", tha një burim perëndimor i mbrojtjes për The Telegraph. Ai shtoi: "Për Putinin, ndoshta nuk është as një objektiv të mposhtë ushtarakisht NATO-n, sepse kjo është një sfidë. Por nëse ai mund të gjejë çarjet brenda aleancës në një nivel politik dhe t'i përkeqësojë ato, atëherë kjo është rruga e shkurtër për prishjen e aleancës."
Ndërkohë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka paralajmëruar se qeveritë rajonale të drejtuara nga AfD mund të përjashtohen nga qasja në informacionet e inteligjencës për shkak të lidhjeve që partia dyshohet se ka me Kremlinin. AfD ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës dhe ka bërë vazhdimisht thirrje për negociata me Moskën. Në të njëjtën kohë, popullariteti i kancelarit Merz ka rënë, ndërsa mbështetja për AfD-në është rritur, duke e bërë atë forcën kryesore opozitare pas zgjedhjeve federale të vitit 2025.

Add new comment