Kushner edhe te Kupa e Botës/ BE, kundër projektit të Gianni Infantinos
BE është pozicionuar qartazi kundër një përpjekjeje të FIFA-s për të privatizuar operacionet tregtare të Kupës së Botës, me ndihmën e një firme kapitali sipërmarrës që lidhet me presidentin amerikan, Donald Trump.
FIFA publikoi një ditë më parë propozimin e saj për të privatizuar operacionet tregtare të Kupës së Botës për meshkuj dhe femra. Kjo do të bëhet përmes një firme kapitali që ka investitor kryesor Josh Kushner, vëllai i dhëndrit të presidentit amerikan, Jared Kushner.
Draftmarrëveshja ka ngjallur menjëherë reagim.
"Suksesi tregtar duhet ta forcojë futbollin, jo ta konsumojë atë," tha Komisioneri i Sportit i BE-së, Glenn Micallef, në një postim në X. "Larg duart nga futbolli ynë."
Marrëdhënia e ngushtë e kreut të FIFA-s, Gianni Infantino, me Trump ka tërhequr më parë kritika nga anëtarët e Parlamentit Europian. Më herët këtë muaj, 90 eurodeputetë nënshkruan dy letra duke sfiduar organizatën për veprimet që sipas tyre do ta dëmtonin neutralitetin politik të organit qeverisës.
Tre eurodeputetë, të cilëve u referohet Politico, thanë se Infantino tani duhet t'u përgjigjet pyetjeve para Parlamentit.
“Nëse planet janë të vërteta, Infantino duhet të japë shpjegime”, tha eurodeputeti gjerman i të Gjelbërve, Rasmus Andresen. “Ne duhet të organizojmë një seancë dëgjimore me ECON dhe CULT të përfshirë”, shtoi ai, duke iu referuar komisioneve të Parlamentit për Çështjet Ekonomike dhe Monetare dhe Kulturën dhe Arsimin.
Bogdan Zdrojewski, ligjvënësi kryesor i Parlamentit Europian për Modelin Europian të Sportit, i tha gjithashtu POLITICO Playbook se Infantino duhet të ftohet gjithashtu të paraqitet para ligjvënësve.
Në një deklaratë për POLITICO, eurodeputeti i Renew, Barry Andrews, dhe ligjvënësja e Volt, Nela Riehl, kryetare e komisionit të Parlamentit për Kulturën dhe Arsimin, thanë se do të paraqisnin një propozim “për t'i kërkuar FIFA-s të paraqitet para një seance të përbashkët dëgjimore në Parlamentin Europian në datën më të shpejtë të mundshme”.
Sipas propozimit, FIFA do t’i transferonte të drejtat e saj tregtare dhe operacionet e turneut në një degë të re të quajtur FIFA Forward Enterprise. Investitorët privatë, të udhëhequr nga firma e kapitalit sipërmarrës të Kushner, do të fitonin afërsisht 20 për qind të asaj kompanie, ndërsa FIFA do të mbante kontrollin.
Për të fituar mbështetjen e shoqatave anëtare të FIFA-s, Infantino e ka shoqëruar propozimin me një rritje të konsiderueshme të fondeve për zhvillim. Nëse shumica e miraton planin, secila prej 211 shoqatave anëtare do të jetë e kualifikuar për deri në 20 milionë dollarë në subvencione të njëhershme, përveç rritjes së pagesave në vitet e ardhshme.
"Futbolli është sporti më popullor në botë dhe një motor i jashtëzakonshëm i zhvillimit njerëzor dhe shoqëror", tha Infantino.
Andrews, i cili kryeson komitetin e zhvillimit të Parlamentit, tha se oferta e financimit "meriton një ftesë në komitetin e zhvillimit të Parlamentit të cilin unë e kryesoj".
"Modeli social i futbollit është gërryer gradualisht gjatë dy dekadave të fundit dhe tani bazohet në hiper-kapitalizëm", shtoi ai.
Ndërkohë, firma e Kushner, Thrive Capital, ka refuzuar të prononcohet në lidhje me këtë çështje.

Add new comment