IKMT përgënjeshtron kryeministrin: Gardhi dhe punimet në Zvërnec, me lejen e KKTU

Postuar në 07 Korrik, 2026 18:08

IKMT kundërshton versionin e dhënë nga qeveria për ndërhyrjet në Zvërnec. Sipas Inspektoratit, gardhi dhe punimet përgatitore nuk ishin thjesht pjesë e vlerësimit mjedisor, por kishin marrë miratimin e institucioneve për nisjen e investimit nga shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development”.

Ndërhyrjet në zonën e Zvërnecit, të cilat fillimisht u bënë shkak për përplasjen e banorëve të zonës me rojet private në brendësi të rrethimit, kanë qenë të autorizuara nga institucionet e shtetit, me qëllim fillimin e investimit pa kryer më parë një vlerësim të ndikimit në mjedis. Ndryshe nga sa kanë deklaruar si kryeministri, ashtu dhe ministri i Mjedisit, se punimet lidheshin me fazën e përgatitjeve për vlerësimin mjedisor, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit konfirmon për MCN se gardhi me tela dhe futja e fadromave kishin marrë dritën jeshile të Këshillit Kombëtar të Territorit për nisjen e investimit nga shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k.

Përgjigjia e inspektoriatit flet për punime përgatitore dhe ndërtimin e rrugëve të aksesit brenda zonës, ku do zhvillohej projekti, ndonëse qeveria ka mbrojtur idenë se nuk ka patur projekt.

Për rastin e Zvërnecit vendosja e rrethimit nga verifikimet paraprake është kryer pas aplikimit dhe shqyrtimit miratues nga KKTU të Lejes "Për kryerjen e punimeve të rrethimitdhe të punimeve përgatitore në funksion të ndërtimit të rrugëve të aksesit brenda prone" me subjekt zhvilluesshoqërinë “Zvërnec South Adriatic Development" sh.p.k.

Leja e ndërtimit, si për gardhin rretthues, ashtu edhe për rrugët e aksesit, është miratuar në mbledhjen e datës 29 prill, siç konfirmohet nga ky dokument ku pasqyrohet rendi i ditës i mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit. IKMT thotë për MCN se, në këto kushte, ajo nuk mund të ndërhynte për heqjen e rrethimit duke shpjeguar se gardhi metalik u hoq nga vetë kompania.

Referuar legjislacionit në fuqi për verifikim të thelluar, IKMT ka kryer korrespondencë me AZHT-në, ku është konfirmuar se leja e vendosjes së rrethimit është miratuar me kusht me Vendimin Nr.05, datë 29.04.2026, e cila nuk është zbardhur. Në këto kushte, pas marrjes në dijeni dhe nga verifikimi i kryer rezulton se subjekti ka hequr vullnetarisht rrethimin.

Edhe në takimet  me euodeputetët e Parlamentit Europian, përfaqësuesit e qeverisë shqiptare mbrojtën qëndrimin se çdo punim në Zvërnec ishte në kuadër të vlerësimit mjedisor, ndryshe nga sa thotë vetë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, duke përgënjeshtruar si kryeministrin, ashtu dhe ministrin e Mjedisit. Pak ditë më parë, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, ku i kërkon qeverisë të shfuqizojë ligjin për ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe atë të investimeve strategjike, përkundër kërkesës së Tiranës zyrtare për të mos i mbështetur ato amendamente.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.