Lodrat e fundit me UÇK

Historia e luftës së Kosovës do të ishte mirë të shkruhej e shkëputur nga rrugëtimi i Kosovës si shtet në pavarësi pasi do të vinim sërish në dilemën e shqiptarëve të Shqipërisë që nuk dinë të ndajnë dot rolin e disa figurave të tyre. Sulmet e koordinuara të përfaqësuesve të UÇK-së ndaj një pjesëtari të tyre, Dritan Goxhaj, u bë për llogari strikt politike dhe jashtë çdo kërkese morale dhe etike minimale. Dritan Goxhaj as e ngriti kredencialet e veta si ish-luftëtar në protestë, thjesht lexoi një emër.
Për më tepër që për emrin e tij, të njëjta media që sot kanalizojnë sulme ndaj tij, dy vjet më parë, kur ai u arrestua nga Prokuroria Speciale pikërisht për Luftën e Kosovës dhe dëshmitë për të, raportonin se ai kishte qenë një ushtarak i UÇK-së. Nga ana tjetër, sesa është politizuar kjo temë mjafton të shihet sot takimi dhe telegrafimi fotografik i tij mes djalit të Hashim Thaçit dhe Edi Ramës.
Është fare i qartë dhe i mjerë kuptimi i këtij takimi; ai shkon drejt protestës dhe opinionit me mesazhin se Lufta e UÇK-së është e asociuar me PS-në. Po kush e kërkoi një gjë të tillë? Askush veç nevojën propagandistike të kryeministrit Edi Rama që ka dëshmuar fytyrën e tij të vërtetë, nivelin dhe banalitetin e tij në këto 23 ditë.
I ashtuquajturi lider dhe mëtonjësi i figurës bashkuese të shqiptarëve u katandis në asgjë më shumë sesa një diversant politik në skenën e Kosovës me fotografi çasti dhe qëndrime që janë asgjë ndryshe nga ato të një partie.

Add new comment