Porti i Barit mund të bëhet pjesë e Korridorit të Mesëm që lidh Azinë me Evropën
Porti i Barit në Mal të Zi mund të shndërrohet në një nyje të rëndësishme të Korridorit të Mesëm të transportit (TITR), që lidh Azinë Qendrore me Evropën, pas diskutimeve të zhvilluara gjatë vizitës së presidentit malazez, Jakov Milatović, në Kazakistan.
Gjatë takimeve me autoritetet kazake, palët diskutuan mundësinë e integrimit të Portit të Barit në Rrugën Ndërkombëtare të Transportit Trans-Kaspik (TITR), një korridor strategjik që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi si lidhje tregtare mes Azisë dhe Evropës.
Zyrtarët vlerësuan se pozicioni gjeografik i Malit të Zi në brigjet e Adriatikut e bën Portin e Barit një pikë potenciale hyrëse për mallrat që vijnë nga Azia Qendrore drejt Evropës Jugore dhe Qendrore. Edhe pse nuk është nënshkruar marrëveshje konkrete, të dyja palët e konsideruan projektin si një mundësi për zhvillimin e një korridori të ri transporti multimodal.
Vizita e Milatović në Kazakistan, e para e një kreu shteti malazez në këtë vend, u fokusua kryesisht në zgjerimin e bashkëpunimit në transport, logjistikë dhe tregti. Presidenti malazez theksoi se Kazakistani është një partner kyç në një rajon që po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në lidhjen ekonomike mes Evropës dhe Azisë.
Korridori i Mesëm ka shënuar rritje të shpejtë vitet e fundit. Vetëm gjatë vitit të kaluar, volumi i mallrave të transportuara përgjatë kësaj rruge u rrit me mbi 36%, duke arritur në 77 mijë njësi ekuivalente 20-këmbëshe (TEU), çka po rrit interesin e vendeve evropiane për t’u përfshirë në këtë rrjet strategjik transporti.
/ Euronews /

Add new comment