Alergjia universale për Partinë
Në një intervistë për median opozitare serbe N1, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, Vladan Petrov, ndër të tjera ka folur edhe ata që I quan “njerëz seriozë dhe të rëndësishëm” me të cilët ai komunikon. Cilët janë këta vallë dhe ku gjenden në shoqëri si tonat? Ja se çfarë thotë Petrov:
Këta njerëz seriozë dhe të rëndësishëm janë nga bota intelektuale, jo nga politika. Unë jam një professor I Fakultetit të Ligjeve dhe njoh një rreth njerëzish që janë intelektualë seriozë dhe nuk i përkasin asnjë strukture partiake. Për disa prej tyre, e di me siguri që nuk janë anëtarë të ndonjë partie politike. Ata vijnë tek unë dhe duan të flasin. Këta janë njerëzit më me përvojë – profesorë të vjetër dhe ata që kanë patur pozicione më parë – sepse e dinë sesa e vështirë është zyra publike, sidomos një zyrë politike…Flas me ta, por jo me nismën time, ata më afrohen dhe unë dëgjoj argumentet e tyre
Kemi këtu një dëshmi të radhës të sëmundjes globale: anti-politikës. Zoti Petrov e jep mosaderimin në një parti të njerëzve që takon, si një lloj certifikate sanitare, që provon se ata nuk janë prekur nga virusi.
Kjo qasje dhe nevoja për të dhënë garanci “se unë nuk takoj njerëz të partive” ilustron epideminë e kohës sonë ndaj politikës, sidomos asaj të shprehur dhe organizuar rreth strukturave partiake. Dikur shprehje e një novacioni dhe revolcuoni, partitë, sidomos ato të masave, shërbenin si katalizatorë të ndryshimit dhe shinë sociale. Forma organizimi për ndryshimin e hierarkive, kurse sot, po dëshmojmë të kundërtën. Partia është shndërruar në simbol të një lloj dogme korrupsioni, ku aderojnë gjysmë njerëz pa dinjitet dhe që si të tillë kërcënojnë çdo perspektivë të jetës publike. Ata nuk duan asgjë të mirë, nuk respektojnë asnjë histori, nuk kanë rrënjë dhe enden si uzurpatorë të arratisur nga çdo kuadër moral njerëzor.
Partia pra si fenomen, ka ardhur duke mishëruar problemin kryesor të Publikes, mekanizmin erodiv të saj, shtamën ku tubohen sëmundjet sociale dhe vendoset nga njerëz që nuk dinë dhe as njohin përgjegjësi sociale. Një lloj endemizmi i së keqes që për më tepër sundon duke na detyruar të bashkëjetojmë me të, ndarë me paretet e një morali personal që kthehet në mundësi e fundme imuniteti.
Kjo alergji radikale ndaj këtij Nocioni ka nisur të shihet me format e protestave civile, pa drejtim të përqendruar dhe me kauza që sugjerojnë dhe jetojnë vetëm përmes lëvizjes, mobilizimit, zhurmës, por jo konkludimit me një projekt zhvillues. Nëse partia është shndërruar gradualisht në kështjellën e pushtetit tradicional, pavarësisht se të korruptuar, ku strehohen “të bashkuar, të gjitha fëlliqësirat”, përkundër tyre është rreshtuar një masë përherë e më e madhe njerëzish që nuk dinë të gjejnë objektiv tjetër veçse ta zhbëjnë këtë hallkë të sistemit politik. Nëse te partia artikulohen të gjitha sëmundjet e kohës dhe të historisë, te kundërvënia ndaj tyre, nuk gjendet asnjë kurë. Është kjo arsyeja pse pushteti i njerëzve të rinj, të mediave sociale që kanë marrë zyra politike, ka ceduar shpejt dhe pa rezultate strukturore.
Pasi është e qartë se asnjë ide, asnjë lëvizje nuk mund të imponohet, dhe as të shpaloset, pa u strukturuar në shoqëri. Pa depërtuar mesazhin e vet në mënyrë metodike dhe në njëkohësi me zbatimin e politikave që aspiron.
Partitë, edhe me programin e korrupsionit, janë më edukative dhe udhëheqëse për grupimin e tyre sesa të gjitha lëvizjet që u qëndrojnë përballë, sado e drejtë kauza. Ka diçka shumë naïve në shpresën se largimi nga Partia, si jetë aktive, të shmang nga kontaminimi, në një sistem që sundohet prej tyre. Në një aspekt, duhet thënë se mirëqenia e re e një kategorie shoqërore, shtyn drejt një lloj autonomie, që i ikën përgjegjësisë duke vetë-sugjestionuar shpëtimin te dallimi me të Keqen. Që është Partia dhe Partiaku. Nuk është kështu. Nuk ka sesi të jetë kështu në të vërtetë.
Duhet thënë se ne jetojmë një kohë të de-intelektualizmit të jetës politike dhe publike, të zbrazjes së partive nga çdo mendim dhe debat ideologjik, përderisa prioritet ka marrë stabiliteti momental social dhe ekonomik. Dhe përderisa “Të Mirët” janë mbyllur në kullat e fildishta të “Ekspertimit” dhe “Meditimit”, çka në fakt përfaqëson edhe sëmundjen reale të kohës.

Add new comment