Shifrat/Kërkesat e deputetit Braçe, që shpjegohen me “valutën” e kreut të opozitës, dr. Berisha

Një kontradiktë domethënese, që mund të ketë pasoja marrëmadëse si për organizimin e saj ashtu edhe për drejtuesin e saj, ka përfshirë Partinë Socialiste (PS) në një kohë që mbarë bota po kalon një periudhë ndryshimesh që mund t’i krahasojmë me ndryshime të llojeve tektonike apo e thënë ndryshe tërmete. Dhe cila është kjo kontradiktë? Ajo është pikërisht kjo: e bëjnë individët një forcë politike apo forca politike bën individët. Ku fillon dhe ku mbaron individi si pjesë e një force politike dhe ku fillon dhe ku mbaron kjo e fundit. Me sa duket PS-ja është kthyer në një organizëm të paformë ku personaliteti i vetëm i saj është vetëm drejtuesi, ndërsa individi në të është vetëm një vegël për t’u përdorur në funksion të njëshit, i zhveshur nga çdo tipar personaliteti.
Këtë, në përmbajtje e tregon sistemi zgjedhor që kemi (që ka qenë proporcional rajonal nga viti 2009 deri në vitin 2017 dhe që tashmë është bërë proporcional rajonal me lista gjysmë të hapura, ku një pjesë e kandidatëve mund të zgjidhen nga votuesit brenda listës shumëemërore. Por thelbi është që tipari kryesor i sistemit zgjedhor të Shqipërisë është ai i proporcionalit rajonal. Ndërsa në formë, Partia Socialiste, duke parë në shtypin e shkruar dhe atë audiopamor sesi po përfundojnë figurat e saj më të rëndësishme (hiq njëshin), kjo forcë politike mund të përkufizohet me këtë shprehje: Lavdi dhe të mira për kryetarin, faj dhe ndëshkim për vartësin!
Këtu nuk do të gjykojmë nëse kjo gjë është e mirë apo e keqe. Këtë do ta trajtojmë në të njëjtën mënyrë siç trajton një fizikant një dukuri natyrore. Fizikanti duke vëzhguar kozmosin arrin të vëjë në pah dukurinë natyrore. Në këtë rast duke vëzhguar kërkesën e deputetit të PS-së, z. Erion Braçe, u arrit që dukuria që po ndodh në forcën e tij politike të vihej në pah si një kontradiktë. Dhe ku ka kontradiktë, ka padyshim edhe lëvizje...
Le të shqyrtojmë këkesat e deputetit veteran të PS-së, që i dërgoi Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) në lidhje me disa rezultate zgjedhore ndër vite që prekën atë dhe forcën politike ku ai bën pjesë. Për shkak të ndryshimeve të sistemit zgjedhor në Shqipëri, në disa raste gjurma e tij politike është më e dukshëm (gjithmonë për vëzhguesin e jashtëm), në disa raste është disi e vështirë ta ndash nga e tëra e PS-së.
Më poshtë lidhja e kërkesës, siç u raportua në media:(https://www.balkanweb.com/pasi-shprehu-ambicien-per-te-kandiduar-per-kryetar-bashkie-te-tiranes-zbulohet-levizja-e-braces-kerkese-kqz-per/#gsc.tab=0).
Le të përpiqemi t’ia plotësojmë këtë kërsesë z. Braçe me aq sa të jetë e mundur, pasi edhe pse këto informacione duhet të jenë publike në KQZ dhe çdo qytetar i lidhur me internet duhet të ketë qasje në to, praktika tregoi të kundërtën. Por me burime të ndryshme nëpër internet mundemi të japim disa të dhëna të kënaqshme. Përpara se të fillojmë po vëmë në dukje disa luhatje drejtshkrimore. Ka tre raste ku në dokument është shkruar “ZAZ-n” që duhet të ishte “ZAZ-në”. Po kështu ka edhe dy raste të tjera ku është “ZAZ-t” dhe që duhej të ishte “ZAZ-të”. Fjala “Lushnje” duhet “Lushnjë”. Dhe së fundmi fjala “informacio”, duhet të ishte “informacioni”. Tani që u hoq kjo barrë drejtshkrimore nga shpirti le t’ia fillojmë.
Z. Braçe kërkoi:
1. Rezultatin e deputetit Erion Braçe në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, në zonën njëemërore në qarkun Berat
Në faqen e KQZ-së nuk kishte të dhëna për zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, por gjatë lundrimit në internet u gjet ky raport i Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), që jep një panoramë të gjerë të ngjarjeve zgjedhore duke përfshirë edhe strategjitë zgjedhore të partive politike, si edhe përdorimin e mediave për fushatë zgjedhore. Më poshtë lidhja:
https://www.electionpassport.com/files/1996-IRI-Parl-Elec-Report.pdf
Sistemi zgjedhor në atë periudhë ishte përzier pra edhe mazhoritar edhe proporcional. Gjithsej për atë legjislaturë zgjidheshin 140 deputetë ku 115 prej tyre zgjidheshin me zgjedhje të drejtpërdrejta nga 115 zona zgjedhore që ishte ndarë Shqipëria (zgjedhje mazhoritare) dhe 25 të tjerët nga listat shumëemërore të partive për të gjithë vendin (zgjedhje proporcionale).
Nga të dhënat e këtij raporti vetëm 5 deputetë socialistë kanë marrë 50% të votave ose më shumë në zonat e tyre zgjedhore. I treti më i votuari ishte deputeti Erion Braçe (7187 vota, 51.17%). Ndërsa i pari më i votuari nga socialistët ishte depueti Ilir Meta (8105 vota 51.54%). Sipas raportit, në ato zgjedhje Partia Demokratike (PD) mori 122 mandate, ndërsa PS-ja mori 10 mandate. Dhe parti të tjera morën pjesën e mbetur të mandateve.
Pa hyrë në diskutime sesi u zhvilluan ato zgjedhje vlen të theksohet se në plan individual për socialistët që i fituan mandatet në përballje të drejtpërdrejtë, kjo ishte një arritje e madhe. Por gjithsesi kjo i takon një të kaluare para 3 dekadash. Megjithatë tek lexon raportin nuk mund të mos habitesh dhe të mos mendosh sesi ka mundësi që ngjarje tashmë aq të lashta që ndodhën në atë kohë u dukën se u përsëritën edhe në vitin 2025, nëse do t’u referohemi gjetjeve të opozitës.
2. Rezultatin e deputetit Erion Braçe në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, në zonën njëemërore në qarkun Berat
Përsëri në faqen e KQZ-së nuk u gjet ndonjë e dhënë për zgjedhjet parlamenatre të vitit 1997. Ndërkaq, të dhënat u gjetën në një raport të OSBE/ODHIR-it, në faqen ndërkombëtare të arkivave “Wayback machine”. Sipas raportit, sistemi zgjedhor i vitit 1997 ishte i njëjtë me atë të vitit 1996. Z. Braçe u zgjodh përsëri deputet në këtë legjislature, në zonën 88, në Berat duke marrë 11428 vota që përktheheshin në 85.87%. Të dhënat tregojnë se përsa i përket përqindjes së votave të marra, ai ishte i treti më i votuari nga të 115 depuetët fitues të mazhoritarit.
3. Rezultatin e deputetit Erion Braçe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, në zonën njëemërore në qarkun Berat
Për viti 2001 sistemi zgjedhor ishte i përzier, vetëm se këtë herë vetëm 100 deputetë zgjidheshin me zgjedhje mazhoritare, ndërsa 40 të tjerë me zgjedhje proporcionale nga listat shumëemërore të partive për të gjithë vendin. Kishte 2 fleta votimi, një për kandidatin dhe tjetra për partinë politike. Të dhënat gjenden në faqen e KQZ-së. Më poshtë lidhja:(https://cec.org.al/zgjedhjet-per-kuvend-2001/#tabs_desc_26197_4).
Në këto zgjedhje deputeti Braçe kandidonte në Zonën 75, ku mori 6754 vota apo 59.085% (pjesëmarrja 57,41%). Ndërsa PS-ja si parti në Zonën 75 mori 6657 vota apo 58.667% (pjesëmarrja 57.09%).
4. Rezultatin e deputetit Erion Braçe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, në zonën njëemërore në qarkun Berat
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, sistemi zgjedhor ishte i njëjtë me atë të vitit 2001. PS-ja mori 42 mandate, të gjitha prej zonave me përballje të drejtpërdrejtë pra me mazhoritar. Këto zgjedhje PS-ja i humbi. Të dhënat gjenden në faqen e KQZ-së. Më poshtë lidhja(https://cec.org.al/zgjedhjet-per-kuvend-2005/#tabs_desc_26187_).
Në këto zgjedhje deputeti Braçe kandidonte në Zonën 75, ku mori 5231 vota apo 40.07% (pjesëmarrja 47,11%). Ndërsa PS-ja si parti në Zonën 75 mori 1060 vota apo 8.17% (pjesëmarrja 47.12%).
5. Rezultatin e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, në të gjitha Zonat e Administrimit Zgjedhor të qarkut Berat
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 kanë qenë ndër më të kontestuarat në historinë pluraliste të Shqipërisë. Ky vit solli edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor duke e bërë atë të llojit proporcional rajonal. Pra deputetët nuk mund të zgidheshin më në përballje të drejtëpërdrejtë por dilnin nga listat shumëemërore të partive, të ndara me bazë qarku. Pra nuk votohej më individi por votohej partia. Nga ana tjetër politikanët duhet të ishin të renditur sa më lart në listë për të siguruar sa më shumë marrjen e një mandati. Pra kontributi i individit në fushatë zgjedhore, më shumë sesa vetes i shkonte atyre që ishin renditur sa më në fillim të listës. Ky është sistemi proporcional.
Në faqen e KQZ-së nuk ekziston një material i detajuar për të marrë të dhëna deri në shkallë ZAZ-je për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ndërkaq, sipas vendimit të KQZ-së, Nr. 602, datë 01.08.2009, PS-ja në qarkun Berat mori 39390 vota apo e thënë ndryshe 48.28% të votave. Gjithashtu Berati ishte qarku i dyti ku PS-ja mori përqindjen më të lartë të votave. Sipas KQZ-së qarku Berat kishte 4 ZAZ, përkatësisht ZAZ-të 1, 2, 3 dhe 4. Më poshtë lidhja e rezultateve(https://shtetiweb.org/wp-content/uploads/2013/03/Rez2009Zona.pdf).
6. Rezultatin e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, në Zonat e Administrimit Zgjedhor të bashkisë Divjakë dhe në dy Zonat e administrimit Zgjedhor të Bashkisë Lushnjë, në qarkun Fier
Sistemi zgjedhor i vitit 2013 ishte i njëjtë me atë të vitit 2009. Të dhënat për rezultatet zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 në shkallë ZAZ-je mund të gjehen në faqen e KQZ-së, por nuk mund të gjehet se cila ZAZ i përket kujt bashkie. Prandaj do të nxjerrim rezultatet për të gjitha ZAZ-të e qarkut Fier. Më poshtë lidhja(https://cec.org.al/fieri-zp-2013/).
7. Rezultatin e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, në Zonat e Administrimit Zgjedhor të bashkisë Divjakë dhe në dy Zonat e Administrimit Zgjedhor të Bashkisë Lushnjë, në qarkun Fier
Sistemi zgjedhor i vitit 2017 ishte i njëjtë me atë të vitit 2013. Në faqen e KQZ-së nuk mund të gjehen dot rezultate të detajuara në shkallë ZAZ-je për qarkun Fier. Ndërkaq të dhënat zgjedhore për bashkitë Divjakë dhe Lushnjë mund të gjehen në faqen e “Klan TV”. Nëse u referohemi këtyre të dhënave ato janë si më poshtë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, në bashkinë Divjakë, PS-ja mori 13095 vota apo 64.31% të votave. Në bashkinë Lushnjë, PS-ja mori 28579 vota apo 59.37% të votave. Më poshtë lidhja: https://zgjedhje.tvklan.al/?qarku=fier&viti=2017&tab=rezultatet
8. Rezultatin e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në Zonat e Administrimit Zgjedhor të bashkisë Divjakë dhe në dy Zonat e administrimit Zgjedhor të Bashkisë Lushnjë, në qarkun Fier
Për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 sistemi zgjedhor ndryshoi. Këtë radhë nga listat shumëemërore zgjedhësit mund të zgjidhnin një kandidat brenda listës së deputetëve të partisë që dëshironin të votonin. Pra ishte një sistem proporcional me lista të hapura deri diku, pasi kandidatë duhet të merrnin një numër të caktuar votash për t’u zhvendosur në pjesën fituese të listave të partive të tyre përkatëse, nëse këto parti kishin marrë mjaftueshëm vota për të pasur përfaqësit në parlament. Për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në faqen e KQZ-së gjen informacion të hollësishëm. Më poshtë lidhja(https://iemis.kqz.gov.al/results2021/results2021.htm#). Po paraqesim rezultatet:
9. Rezultatin e deputetit Erion Braçe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në qarkun Fier
Deputeti Erion Braçe rezultoi deputeti më i votuar i PS-së në qarkun Fier, duke marrë 15622 vota. Gjithsej PS-ja mori 91572 vota në qarkun Fier. Për rrjedhojë, në bazë të votave ku votuesit përzgjodhën deputetin Braçe del se këto vota përbëjnë rreth 17.06% të votave të PS-së, për këtë qark. Kjo sipas të dhënave të KQZ-së.
Topi në fushën e KQZ-së dhe medias
Kërkesa e deputetit Braçe përveç se është një kërkesë që ka arsye vetjake për të, ngre edhe çështje me rëndësi publike. Së pari një deputet i Republikës së Shqipërisë, që është edhe përfaqësues i qytetarëve të saj i ka dërguar një institucioni publik një kërkesë zyrare me shkrim. Kanë kaluar disa ditë dhe nuk po duket, të paktën në media, një përgjigje rreth asaj që u kërkua nga deputeti. Për rrjedhojë lindin disa pyetje. Kur një deputet kërkon me anë zyrtare informacione si edhe kalojnë disa ditë dhe institucioni në fjalë nuk ndihet, atëherë lind pyetja çfarë ndodh kur një qytetar i thjeshtë duhet të marrë informacion nga institucionet publike?
Një justifikim që mund të jepet është se duhet kohë. Atëherë, në këtë rast ngrihet çështja, kur informacioni që kërkoi deputeti në pjesë më të madhe, sipas specifikave të tij, u gjet nëpërmjet lundrimit në internet thjesht prej këshërisë me burime që janë të hapura për çdo qënie njerëzore në planet dhe që ka qasje në internet, në një hapësirë kohore prej rreth tri ditësh, sa i duhet një institucioni si KQZ-ja që i ka këto informacione, shto këtu edhe burimet njerëzore dhe teknologjike, për t’i dhënë përgjigjen një deputeti që kërkon zyrtarisht një informacion për veten e tij dhe që ligjërisht duhet të jetë i hapur për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë? Dhe të mendosh se një pjesë e këtij informacioni u gjet nëpërmjet raporteve të huaja...që janë publike në internet për këdo. Pra kërkesa e deputetit Braçe, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ngre pikëpyetje mbi funksionimin e institucioneve publike të Shqipërisë...
Së dyti një tjetër çështje që ngre kërkesa e deputetit Braçe është plogështia mediatike në lidhje me ngjarjet. Përtej gjithçkaje, për një gazetar kjo kërkesë duhet të ngjallë të paktën kërshëri. Sepse është pikërisht këshëria që nxit në hulumtimin e lajmit dhe qëm në plan më të përgjithshëm njerëzor, kërshëria është përbërësi fillestar që çon në rritjen e njohjes. Për më tepër gjetja e të dhënave të llojit të kërkesës që u raportua në media është edhe një ushtrim i mirë për një gazetar për të sprovuar aftësitë hulumtuese si edhe ato të përdorimit të teknologjisë.
Po kështu, kjo kërkesë ëhtë një ushtrim i mirë për një organizatë mediatike për të sprovuar aftësitë e veta organizative si në drejtimin e burimeve njerëzore ashtu edhe në shfrytëzimin e arkivave të informacionit që ka krijuar. Dhe në këtë shkrim, në lundrimet në internet vetëm një media rezultoi të kishte informacion zgjedhor, të mirëparaqitur, për të përmbushur kërkesat e shkresës së deputetit Braçe. Thjesht të raportosh lajmin është gazetaria e shekullit të kaluar, sespe me përparimin teknologjik kushdo mund ta bëj këtë. Gazetaria e këtij mijëvjeçari të ri është studimi dhe analizimi i lajmit që raportohet, për të nxjerrë të dhëna që u bëjnë punë njerëzve në përditshmërinë e tyre dhe që i vënë në mendime në mënyrë që të rritin njohurinë.
Kapitali njerëzor dhe dr. Berisha
Këkesa e deputetit Braçe u cilësua "e çuditshme” nga media. Si çdo dukuri që studiohet duhet një pikë referimi për të dhënë një cilësim. Po kështu edhe “çudia” e kësaj këkese varet se çfarë merret si pikënisje apo pikë referimi. Nëse matet me kutit e tërheqjes së vëmendjes mediatike, atëherë fjala “çudi” është për të tërhequr njerëzit drejt lajmit nëpërmjet klikimeve. Nëse matet me kutin e PS-së ku individi ka kaluar në plan të dytë dhe është shkrirë me partinë, atëherë në këtë rast “çuditesh” se përse një individ kërkon të qartësoje pozicionin e tij në lidhje me partinë. Dhe për rrjedhojë lind pyetja: cilat janë vallë rrethanat që çuan në këtë kërkesë që shfaq një kontradiktë me atë që pranohet botërisht?
Nëse matet me kutin e ngjarjeve bashkëkohore, ku në mbarë botë kanë filluar prej kohësh të vihen në pah vlerat vetjake, atëherë “çuditesh” për vonesën për sa i përket kohës që u shfaq kjo kërkesë. Por, në rastin e Shqipërisë, çudia më e madhe është se kjo kërkesë vë në pah raportin me të kaluarën, duke kërkuar një analizë të asaj që ka ndodhur përpara shumë vitesh. Në Shqipëri ka ende një ndrojtje shumë të madhe për t’u përballur objektivisht me të kaluarën, për të ruajtur më të mirën e saj dhe për të përdorur gabimet si mësim për të tashmen, që në ardhmen të mos i përsërisim.
Kështu në të kaluarën, PS-ja, sipas socialistëve, ka qenë një force që mblidhte pjesën më të madhe të popullit dhe atë më intelektuale të vendit, si edhe që kishte figura politike që gëzonin popullaritet tek zgjedhësit e majtë. Bëhet fjalë për vitet ’90 dhe fillim vitet 2000. A mund të thuhet e njëjta gjë për PS-në e viteve 2026? Duhet thënë se që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, më pak se 50% e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar. Për më tepër zgjedhjet parlamenatre të viteve 2021 dhe 2025 kanë shënuar minimume historike në pjesëmarrje. A do të donte vallë një anëtar me kontribut politik, bazuar në popullarit tek qytetarët, të ishte pjesë e kësaj statistike, për më shumë në PS? Përgjigja e kësaj pyetje bëhet rrënqethëse kur kujton historinë. Dhe me sa po shohim kujtesa historike e vetvetes nuk duket jo vetëm një pikë e fortë për PS-në, por madje një çështje që kjo parti duket se as që dëshiron ta kujtojë. Ku bazohen këto? Mjafton të hulumtosh se sa kujtohen dhe njihen në bazën socialiste fugurat e PS-së të legjilsaturave të fundviteve ’90 dhe të fillimviteve 2000 krahasuar me këto të legjislaturës së vitit 2025...
Kështu lindin pyetjet. Sa vlerësohet individi në PS? Sa pjesë të gabimeve të individit mban partia dhe sa pjesë të gabimeve të partisë mban individi? Sa mund të zhvillohet dhe të përparojë individi në një parti si PS-ja, kur kjo e fundit kërkon t’i blatohen figurat e saja poilitke për të ekzistuar? Për këto mjafton t’u hedhësh një sy lajmeve për të kuptuar se çfarë po ndodh...
Po si i mbijeton individi politik në një force politike që mund ta shtypë në çdo çast? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Duke mbajtur lidhjet me bazën e zgjedhësve. Pra mbështetja njerëzore është “valuta” e ekzistencës politike, dhe jo vetëm duke e pasur, por edhe duke e ruajtur pa ta marrë. Pikërisht këtë “valutë” nxori në pah kërkesa e deputetit Braçe drejtuar KQZ-së. Duhet të theksojmë se në këtë analizë nuk merret përsipër të vlerësohet marrëdhënia e këtij deputeti me partinë e tij. Thjesht po analizohet dukuria.
Ndërkaq, çudia më e madhe, ndoshta nga këndvështrimi socialist por jo nga ai logjik, është se politikani që ia ka ditur gjithmonë vlerën “valutës” mbështetje njerëzore, si edhe që e ka ruajtur më mirë atë, është pikërisht prof. dr. Sali Berisha! Le të bëjmë një shpjegim të shkurtër.
Figurat aktuale të PS-së mund të krititikojnë pa fund dr. Berishën për çfarë ka bërë në të kaluarën, por harrojnë që ai është një realitet objektiv i bashkëkohësisë. Sa herë në tre dekada është përfolur për largimin e dr. Berishës? Dhe ja që çdo herë ai rikthehej. Madje në vitin 2013 edhe ai vetë mendoi se do të largohej. Por ja tek është. Le të mos harrojmë, çfarë kaloi ai në katër vitet fundit! Por përsëri ja tek është! Kjo sepse ai kishte “valutën” mbështetje njerëzore. E vetmja valutë që mposht çdo bllokadë politike. Është tragjikomike të mendosh se në vitet ’90 PS-ja ishte e pasur me këtë “valutë”, ndërsa në vitin 2026 është pikërisht dr. Berisha, që socialistët e shkëputur nga realiti dëshirojnë ta fajësojnë për gjithçka, që gëzon rezerva domethënëse të kësaj “valute”. E vërteta është se gjërat nuk janë siç i mendojmë në kokën tonë, por ato janë ashtu siç vëzhgohen objektivisht. Kështu vlen të thuhet se dr. Berisha është kthyer në një model jo vetëm të mbijetesës politike, por edhe si të jesh përfaqësuesi i ndryshimeve që vijnë me kohën, ndryshim që bjen si rrjedhojë e bashkëveprimit të të gjithë njerëzve bashkëkohës.
Për mbyllje
Duhet vlerësuar z. Erion Braçe për këtë lëvizje që ka bërë me anë të kërkesës së tij drejtuar KQZ-së, që sigurisht është për qëllimet e veta, pasi ka krijuar diçka shumë të rëndësishme. Kjo diçka është që të ruajmë vlerat e së kaluarës, dhe gjithashtu t’i mbrojmë ato, për të krijuar edhe më shumë vlera në të tashmen dhe në ardhmen. Po e mbyll me dy shprehej të popullit shqiptar:
Askush nuk të do më shumë se vetja!
Po nuk deshe veten, kush do të dojë?!

Add new comment