Një monedhë ari me fytyrën e Trump

Postuar në 20 Mars, 2026 20:21

Një komision federal i arteve në Shtetet e Bashkuara miratoi të enjten projektin përfundimtar të një monedhe përkujtimore prej ari 24 karatësh, që mban imazhin e presidentit Donald Trump, në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e pavarësisë së vendit më 4 korrik.

Votimi nga US Commission of Fine Arts, anëtarët e të cilit janë mbështetës të presidentit republikan dhe janë emëruar prej tij më herët këtë vit, u zhvillua pa kundërshtime. Ky vendim i hap rrugë United States Mint për të nisur prodhimin e monedhës, ndërsa madhësia dhe prerja e saj mbeten ende në diskutim.

Ligji federal ndalon që një president në detyrë të shfaqet në monedhën zyrtare amerikane. Megjithatë, sipas Megan Sullivan, sekretari i Thesarit ka autoritet të lejojë prodhimin dhe emetimin e monedhave të veçanta përkujtimore. Ajo prezantoi dizajnin përfundimtar gjatë mbledhjes së komisionit dhe theksoi se ai ishte miratuar nga vetë Trump.

Pjesa e përparme e monedhës e paraqet Trump të veshur me kostum dhe kravatë, me një shprehje serioze, i mbështetur mbi një tavolinë. Në pjesën e sipërme është shkruar “Liberty”, ndërsa poshtë saj datat “1776” dhe “2026”. Në fund shfaqet motoja “In God We Trust”, e shoqëruar me yje në të dy anët.

Ana e pasme paraqet një shqiponjë në fluturim, me mbishkrimet “United States of America” dhe “E Pluribus Unum”.

Anëtari i komisionit Chamberlain Harris e cilësoi imazhin si të fortë dhe të përshtatshëm për një president që drejton vendin në një moment historik. Ndërkohë, komisioneri James McCrery II sugjeroi që monedha të prodhohet në përmasa sa më të mëdha, duke iu referuar preferencës së Trump për projekte madhështore.

Sipas zyrtarëve, monedha do të prodhohet në një sasi shumë të kufizuar, ndërsa detajet përfundimtare mbi madhësinë dhe vlerën nominale pritet të përcaktohen në vijim.

/ The Guradian /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.