Narkoshteti njihet zyrtarisht si realitet nga BE

Postuar në 06 Mars, 2026 17:47

Tri ditë më parë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, foli për penetrimin e krimit në ekonomi si problem që duhet adresuar në kuadër të procesit të integrimit.

Bllokimi i aksesit të krimit në ekonominë e ligjshme forcon përpjekjet tradicionale për të luftuar krimin e organizuar. Duke përdorur mjete si heqja e licencave, verifikimi i pjesëmarrjes në tenderë publikë dhe sanksionet bashkiake, autoritetet krijojnë barriera që i pengojnë kriminelët të depërtojnë në bizneset e ligjshme. Kjo qasje efektive kundër krimit të organizuar është thelbësore për integrimin e suksesshëm të Shqipërisë në BE

u shpreh ai.

Në një dalje të somte në kuadër të një konference për sundimin e ligjit, z. Gonzato e ka vënë theksin te rikuperimi i pasurive, që është as më shumë e as më pak hetimi pasuror dhe konfiskimi.

Çfarë na thotë ky mesazh?

  • Së pari se drejtësia e re penale, megjithë problemet që ka, është më e dosmodoshme se asnjëherë. Dhe duhet thënë se në këtë drejtim, qeverisë nuk i bëjnë punë as statistikat, as gënjeshtrat.
  • Së dyti, se problemi i luftës ndaj kriminalitetit të organizuar, lidhet ngushtë me çështjen e pasurive, për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e parajsave të krimit.
  • Së treti, depërtimi i krimit në ekonomi lidhet patjetër me pastrimin e parave, mbrojtjen e këtij procesi nga politika dhe më e rëndësishmja me moslejimin e kapjes së institucioneve. Këtu hyjnë bankat, agjencitë e inteligjencës financiare e me radhë.

Tani krimi i organizuar shqiptar është provuar se ka aktivitet kryesor trafikun e drogës dhe në momentin që kemi një vlerësim politik zyrtar për aderimin e pasurive të tij në ekonominë reale, është e qartë se BE-ja po na thotë se termi “narkoshtet” nuk përfaqëson një deformim aq të madh të realitetit.

Kur z. Gonzato flet për heqje licençash, pra masash administrative konkrete, ai po na thotë se qeveria as e ka vënë ujët në zjarr në këtë drejtim, ndërkohë që kufizimi i lojës ekonomike të krimit, është në një mënyrë edhe reformism apo hapje e tregut.

Duam nuk duam, ajo që ka ndodhur para syve tanë në 15 vjet konfirmohet sot me zë dhe figurë nga përfaqësues të BE-së, pikërisht sepse të tilla janë kushtet. Do të ishte mirë të ishte edhe vullneti në këtë drejtim, por mjafton që gishti po vihet në plagë. Dhe për plagën ka përgjegjësi politike që shkon baraz me atë penale.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.