Shqiptarët po plaken si popull duke betonizuar çdo kursim

Sa herë ndërton diçka Bashkim Ulaj, ka një protestë nga banorët e prekur. Unaza e re ishte maja, me Avdjol Dobin dhe protestat e shumta, mandej në Bërxullë. Ujësjellësi i Vlorës është pasojë e punimeve të kompanisë së z. Ulaj, i cili së fundmi përballet me protesta në Rrjoll. Në një vend ku ndërtohet nga veriu në jug, nga fusha në mal e në det, një situatë e tillë të bën të mendosh se z. Ulaj ka ters.
Megjithatë një protestë e banorëve të Borshit, që pretendojnë se u është rrëmbyer prona nga Komuniteti Mysliman, ilustron diçka që dihet mirë. Siguria juridike për pronën në Shqipëri nuk ekziston. Dhe me siguri juridike do kuptuar si korpusi anarkik i akteve që miratohen, ashtu edhe pasiguria e plotë e administrimit të tyre. Pak muaj më parë, në media doli lajmi se në Kadastrën e Durrësit, ishin grisur 900 faqe. Ruhen në arkivë,-u shpreh dikush.
Kadastra e VLorës u likujdua për t’u sjellë në Tiranë, ndërkohë që investimet strategjike kanë krijuar përshtypjen e një invadimi mbi pronën e kujtdo. Për paradoks: çmimet vetëm rriten, ndërkohë që të gjithë pretendojnë padrejtësi për pronën.
Si ta interpretosh këtë që ndodh? Pas 35 vjetësh? Një arsye pas kësaj është se zhvillimi ekonomik apo më mirë pasurimi, është i asociuar me një kapital të vetëm: pronën, territorin. Nga kjo pikëpamje, është shumë e qartë se e vetmja politikë efektive në këtë drejtim është grabitja dhe tjetërsimi. Politika shqiptare nuk është aty në emër të zhvillimit, por të pasurimit dhe nëse ka një projekt të qartë në këtë drejtim, ky është vetëm një: në finale të shndërrimit të pasurisë kombëtare dhe publike në pronë private, do të ketë të pasur dhe kontrollues ata që sot janë në politikë.
Është një model i aplikuar herët në Itali, aplikohet edhe tani në Shqipëri. Modeli I ekonomisë mbi ndërtimin, po prodhon një paradoks dhe ndërtohet mbi një premisë të hendekut në zhvillim në raport me brezin e sotshëm. Ky model po thith energjinë e dy brezave shqiptarësh, që një pjesë të madhe të punës së vet e kanë ngurtësuar në prona të patundshme në Shqipëri, megjithë pasigurinë e madhe të këtij investimit.
Vit pas viti, çmimet rriten, sipërfaqet ndërtimore po ashtu dhe pronat më të mira i takojnë një ekonomie të paligjshme që mbrohet nga pushteti. Distanca në pasurim ka sjellë patjetër kontroll ligjor dhe institucional, ndërkohë që shkëputja e madhe me pronën në regjimin e Enver Hoxhës, pezulltia e krijuar me titujt e trashëguar nga Perandoria Osmane, hapja e tokave të reja, riorganizimi urban i territorit dhe epërsia e sektorëve si turizmi, kanë sjellë hierarki të reja dhe nevoja të reja. Të cilat i mbivendosen interesave të katundit dhe komunitetit. Shikoni me sa lehtësi privatizohet përdorimi i burimeve të ujit, sa e dyshimtë po ashtu është edhe qasja e komuniteteve fetare në këtë drejtim që zë fill që me lodrat e bektashinjve në Ksamil. Një kishë dhe një Kullë, apo një teqe apo xhami brenda në Kullë, mund të jetë invencioni I radhës në arkitekturën e Shqipërisë.
Kështu dora dorës, 3 milionë shqiptarë janë shndërruar në blerës të pak njerëzve në vendin e tyre, me prona që mund të zhvlerësohen sa hap e mbyll sytë po nga këta. Kjo energji patjetër është në kurbë rënëse; demografia bën puën e vet dhe nuk do të jetë e largët dita kur ndërtimet do të jenë bosh dhe në shitje të lirë për këdo. Ndërkohë që momentumi e kërkonte një orientim drejt ekonomive të reja, 33 vjet energji dhe punë, të një shoqërie që nuk ka për të patur më këtë moshë dhe vitalitet demogragik u ngurtësuan në beton. Karremi funksionoi në mënyrë perfekte. Konflikti për pronën është dispozitivi më i mirë I kontrollit për një shoqëri që nuk do të kuptojë se është modeli vetë e keqja.

Add new comment