Cilat vepra do të mbeten?!!!

Postuar në 23 Shkurt, 2026 14:17

Në një reagim publi, kryeministri i vendit Edi Rama, ka sqaruar ndër të tjera se pse ai ka udhëtuar sot me helikopter drejt Korçës, ndërkohë që aksi që lidh Tiranën me Juglindjen ka ditë i bllokuar. Zoti Rama thotë se vizita ka qenë e planifikuar më herët dhe se ajo lidhet me shoqërimin e disa investitorëve të huaj. Mandej kryeministri merret me informacionet rreth kësaj situate që ka gjeneruar jo pak pakënaqësi në mediat sociale dhe mes qytetarëve. Mes të tjerave z. Rama thotë:

…i kam rënë Shqipërisë rrotull më shumë se tërë kryeministrat e tjerë të marrë së bashku, qysh nga krijimi i shtetit shqiptar dhe e kam prekur këtë vend në çdo qoshe, jo si turist, po si kryeshërbëtori i zgjedhur i shqiptarëve, të cilët i çmoj më shumë se çdo telendar politik a mediatik dhe më njohin më mirë se kushdo prej tyre, prandaj edhe më kanë votuar gjithnjë e më masivisht, duke i shpërfilluar rregullisht tenxheret medatike e dallaveret politike!

E dyta, me aks të lirë a me aks të bllokuar, ky fluturim me helikopter ishte planifikuar kohë më parë, pikërisht sepse grupi që vjen do të shohë Korçën, Vlorën e nesër Tiranën në vetëm 24 orë qëndrimi në Shqipëri. Por fundja çfarëdo të them unë, tenxheret do të thonë atë që kanë për të thënë dhe në fund fare, karvani do ecë përpara, qentë do vazhdojnë të lehin, veprat do jenë të vetmet që do të mbeten

Nga ky reagim mund të tërhiqen disa komente: së pari, pse reagon z. Rama ndaj mediave dhe politikës kur populli e do dhe e voton pa filtrat e portaleve? Pse i drejtohet sërish tenxhereve për keqdashjen e supozuar, ndërkohë që kryeministri nuk ka deri më sot një deklaratë apo reagim për situatën e krijuar?

Nga ana tjetër, një njeri mund të sorrollatet në çdo zgëqe të një vendi, por kjo nuk e bën atë një qeveritar të mirë. Më e rëndësishmja: cilat janë veprat që do të mbeten? Të gjejë z. Rama një vepër publike, një të vetme që përkon me kostot e deklaruara dhe cilësinë e premtuar? Një të vetme. Të gjitha veprat infrastrukturore sot kanë probleme, madje më shumë probleme se akset e ndërtuara dhe investuara dy dekada më parë.

Digjitalizimi, një investim shumë i madh, është një qendër eksperimentale dështimesh për të cilat nuk ka asnjë transparencë.

Bilanci në politikën e jashtme është një litani premtimesh pa fund, shtytjesh dhe zvarritjeje që nuk konfirmon ndonjë gjë cilësisht të dallueshme.

Cilat janë veprat? Të vetmet vepra cilësore dhe të dukshme për realizimin e tyre janë kullat. Por ato janë vepra private. Ku është porti i Karpenit? Pse ka probleme dhe shtyhet pa fund aeroporti i Vlorës? Çfarë po ndodh me portin në Durrës? Po sektori minerar? Po inceneratorët?!

Veprat për të cilat ëndërron ky zotëri janë një varr i hapur për Shqipërinë që po vjen.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.