Kosova duhet të argumentojë pretendimet për proces politik në Hagë

Postuar në 17 Shkurt, 2026 16:40

Në Prishtinë ka përfunduar një protestë e organizuar në mbështetje të katër të akuzuarave në Gjykatën e Hagës që kanë qenë në drejtim të UÇK-së.

Drejtësi, jo politikë -, kjo ka qenë thirrja.

Nga ana e vet, kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar çështjen si parimore dhe ka refuzuar të konsiderojë si të qëndrueshme akuzat e ngritura në Hagë. Duhet thënë se korit të entuziastëve dhe panegjeristëve të luftës i mungon LDK-ja, e cila është në një mënyrë viktimë e goditjeve të krerëve të UÇK-së pas luftës.

Një shenjë e qartë se unitetit populist për këtë çështje i mungon një pjesë e qytetarëve të Kosovës. E vërtetë: Lufta ka ndodhur. Ishte çlirimtare. Por edhe krime ka patur dhe edhe për ato ka emër.

Këtu po injorohet fakti se shqyrtimi i krimeve në Hagë dallon nga ai i krimeve të Serbisë, për shkak se Kosova nuk kishte institucione përfaqësuese në atë kohë, ndaj në parim dhe thelb shqyrtimi është nominal.

Nga ana tjetër, lufta e Kosovës nuk ka sesi të njolloset as zhbëhet, pasi me një opinion këshillimor të vitit 2010, Gjykata e Hagës e ka gjetur pavarësinë e Kosovës në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Kjo çështje është e sqaruar tashmë në planin politik dhe atë juridik. Kështu që ndërthurja e akteve të drejtësisë me çështje të politikës nuk qëndron në këtë rast.

Në fund, edhe pretendimi i presidentes Osmani se Kosova nuk do të pranojë një narrativë që vë në diskutim luftën, është shumë i tepruar, pasi drejtësia në parim zbardh të vërtetën penale dhe faktike, përgjegjësitë individuale. Ajo nuk sugjeron një narrativë alternative. E thënë ndryshe: Kosova duhet të argumentojnë me prova pretendimet ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë së Hagës sa kohë e njeh dhe pranon jurdiksionin e tyre. Duhet sepse drejtësia nuk është bindje.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.