Drejtësia është e pavarur, por vepron pa Prova

Në podcastin e vet sot, kryeministri Edi Rama, ka komentuar pretencën e prokurorëve në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Sipas z. Rama prokuroria dështoi të sillte një provë të vetme për të përligjur një akuzë të tillë mizore.
A është e mundshme është një gjë e tillë? Pra si ka mundësi që në mes të ditës, në mes të dynjasë, një prokurori e specializuar, kërkon 180 burg pa asnjë provë të vetme?
Këtë me siguri duhet ta dijë z. Rama që e ka lexuar akuzën, por ka ndjekur edhe procesin hap pas hapi.
Asnjë provë të vetme nuk ka paraqitur edhe SPAK për Erjon Veliaj. Asnjë. Kështu tha z. Rama në mbledhjen e Asamblesë socialiste. Dosja e Veliajt është 61 mijë faqe. Që të deklarosh një gjë të tillë duhet ta kesh lexuar dosjen të plotë. Por atë nuk e ka lexuar as vetë Veliaj, siç edhe pretendon.
Asnjë provë nuk ka gjetur SPAK as për Ilir Beqajn, apo të gjithë të tjerët që janë në hetim dhe procedim.
E megjithatë drejtësia është e pavarur. Edhe ajo shqiptare, por edhe ajo ndërkombëtare. Pavarësinë e tyre e dekreton Edi Rama nga Tirana që flet majtas e flet djathtas sepse e di se fjala e tij nuk peshon kund. Thjesht zhurmon meqë ai ka zaptuar një karrige, edhe për ca kohë.

Add new comment