Kimikatet toksike do t’i kushtojnë Europës gjysmë trilioni euro deri në vitin 2050
Evropa do të paguajë të paktën 440 miliardë euro për të zgjidhur problemin e ndotjes dhe ndikimet shëndetësore nga kimikatet toksike PFAS deri në mesin e shekullit, sipas një studimi të publikuar të enjten nga Komisioni Evropian.
Kostoja mund të rritet në gati 2 trilion euro sipas objektivave më ambicioze të pastrimit, paralajmëron analiza, duke përshkruar vlerësimin prej afërsisht gjysmë trilioni eurosh si një bazë për adresimin e ndotjes nga PFAS në të gjithë Zonën Ekonomike Evropiane.
PFAS ose "kimikatet e përhershme" - kimikate të prodhuara nga njeriu që përdoren në disa procese industriale dhe produkte të konsumit – lidhen me një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë kancerin dhe problemet e fertilitetit.
BE-ja po përgatitet të propozojë ndalimin e përdorimit të tyre më vonë këtë vit, me përjashtime për "sektorët kritikë" - një masë që pritet të kundërshtohet nga industria dhe disa grupe politike.
Një ndalim i plotë do të sillte për Evropën një kosto prej 330 miliardë eurosh deri në vitin 2050, paralajmëron raporti.
Studimi, i kryer nga kompanitë e konsulencës WSP, Ricardo dhe Trinomics, tregon se mënyra se si vepron Evropa ka po aq rëndësi sa edhe nëse vepron. Në një skenar, ku emetimet vazhdojnë dhe autoritetet mbështeten kryesisht në trajtimin e ujërave të zeza për të përmbushur standardet e rrepta mjedisore, fatura totale do të rritet në rreth 1.7 trilion euro deri në vitin 2050, e nxitur kryesisht nga kostot e pastrimit.
Nëse BE ndalon përgjithmonë kimikatet, kostot shëndetësore do të bien nga rreth 39.5 miliardë euro në vit në vitin 2024 në afërsisht 0.5 miliardë euro deri në vitin 2040, nëse ato hiqen nga tregu plotësisht në mënyrë graduale.
/ Politico /

Add new comment