Në Shqipëri nuk ka opozitë parlamentare

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot me procedurë të përshpejtuar anëtarësimin në Bordin e Paqes për Gazën, një shpikje kinematografike e Donald Trump për procesin në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, duhet shënuar se anomalia nuk lidhet me votën pro, por me sjelljen në Kuvend. Partia Demokratike dhe opozita në tërësi ishte pro anëtarësimit por votoi kundër për shkak të shkeljes proceduriale pasi procedura e përshpejtuar nuk mund të jetë më pak se një javë që nga marrja e nismës.
Asnjë diskutim thelbësor për nismën, ftesën dhe a duhet apo jo Shqipëria të jetë pjesë e këtij Bordi, pse duhet të tjetë dhe a duhet amenduar ligji përkatës. Shqipëria hyri në OKB në vitin 1955 pas një beteje diplomatike të madhe. Sot në Zvërnec të Vlorës u vendos që ajo ta shqelmojë këtë trashëgimi të krijuar me shumë mund për të hyrë në një korridor gjeopolitik që nuk ka të ardhme të shquar mirë.
Si mundet që 140 delet e Kuvendit të jenë pro pa vrarë mendjen pak më gjatë? Diskutimet në Kuvend kanë vlerën e tyre edhe publike, edhe publicitare por edhe politike. Opozita e lodhur u mor me Belinda Ballukun, të cilës iu kthye buzëqeshja pas javëve me kokën ulur e pa bërë zë gjëkundi. U mor me Lubi Ballukun, ndërkohë që në Kushtetuese çështjen e çoi qeveria.
U mor për të luajtur si agjenci marketing për të tërhequr vëmendjen nga suksesi personal i Edi Ramës me Bordin e Paqes, i cili mundet tashmë fare mirë ta shkarkojë Ballukun në emër të pozitës së re që ka fituar dhe nevojës për ndryshime në qeveri. Për ta lënë opozitën me gishtin në ajër, pa ia cenuar sovranitetin e lëvizjes dhe adresën finale.
s.zaimi

Add new comment