Një shfaqje e të gjithëve për Kryeministrin

Në një film parodi të momenteve të fundit të jetës së Stalinit, tregohet se si drejtuesi i Bashkimit Sovjetik telefonon personalisht drejtorin e Radio Moskës për t’i kërkuar një kopje të koncertit që sapo ishte transmetuar. I shokuar prej faktit që koncerti kishte qenë drejtpërdrejt dhe i paregjistruar, drejtori detyron orkestrën ta riluajë edhe një herë nga e para për t’u regjistruar, në vend se t’i thoshte shokut Stalin se nuk ka një kopje të tillë. Në të vërtetë, ndryshimi i vetëm është se ngjarja kishte ndodhur vite përpara vdekjes së Stalinit.
Disa vite më parë, një ministri i vjen mesazhi se pas dy javësh Kryeministri do të përuronte një godinë të re në përgjegjësi të dikasterit që ai drejtonte. Ky lajm shkakton panik në mënyrë kapilare në të gjithë institucionin, nga ministri tek zyrtarët më të ulët. Godina e kërkuar nga Kryeministri nuk ishte në rikonstruksion. Madje nuk kishte patur as plane për rikonstruksionin e një godine të llojit që Kryeministri kërkonte të përuronte.
Të gjithë nënpunësit futen në një garë të zëshme se si mundet të gjendet një godinë e tillë brenda afatit 2 javor, ku asnjë ide nuk e tepërt, përveç sugjerimit për ti thënë Kryeministrit se kjo nuk mund të bëhej. Të thoje se diçka nuk mund të bëhej, sado e pamundur, rrezikonte etiketimin si të paaftë për kryerjen e detyrës, e cila mund të pasohej me shkarkime dhe zëvendësime të atyçastshme.
Gjatë zhvillimeve të një nga asambletë e Partisë Socialiste në Pallatin e Kongreseve, në sheshin në krah, zhvillohej një panair për bujqësinë. Kur vizitoje panairin mbeteshe pak i habitur nga mungesa e alternativave, derisa mëson nga pjesëmarrësit se pjesmarrja në panair ishte vendosur vetëm pak ditë përpara, pa i dhënë mundësi për t’u përgatitur në mënyrën e duhur. Mesa duket, dikujt i kishte lindur ideja që pak përpara asamblesë, do ishte më estetike sikur të kishte edhe një panair që tregonte sukseset e qeverisë në sektorin më të madh të ekonomisë.
Ndodhia më e pazakontë ngjau në një panair punësimi në një qytet bregdetar, ku mund të mësoje për panairin vetëm nëse të rastiste të kaloje aty pari. Institucioni i cili e organizonte panarin nuk kishte marrë mundimin ta reklamonte në media apo në faqen e tij zyrtare për të tërhequr punëkërkues të mundshëm. Panairi u vizitua nga Kryeministri, i cili pasi kaloi shkurtimisht në të gjitha stendat, mbajti fjalimin e rastit. Stendat e hapura vetëm pak orë më parë, u mbyllën thuajse menjëherë pas fjalimit të Kryeministrit. Punonjësit e Institucionit duhet të kenë marrë frymë lehtë; panairi kishte arritur qëllimin, edhe përse nuk kishin bërë bashkë asnjë punëdhënës me punëmarrës
Në ndryshim me one-man show, një shfaqje ku performon një njëri i vetëm përpara një publiku, tani ndodhemi përpara të kundërtës; një shfaqje e të gjithëve për Kryeministrin. Alternativa e vetme ndaj të pamundurës, është të krijosh iluzionin se ajo u arrit. Një ndërtesë që nuk është buxhetuar gëlon nga punonjësit, një panair që nuk dihej është plot me stenda, gati-gati si me një trokitje gishtash.
I takon kërkuesit për të bërë dallimin nëse është një arritjeje e cila prodhon rezultate konkrete apo një shfaqje. A e di Kryeministri që po e vendosin përpara një shfaqjeje?

Add new comment