Dyshja që duhet të vijojë ta drejtojë Kosovën

Ky shkrim u drejtohet të gjithë atyre që duan të kuptojnë më mirë prapaskenat e sulmeve politike, të mendojnë për drejtimin që ka marrë shoqëria dhe për përgjegjësinë që kemi si qytetarë në mbrojtje të shtetit ligjor. Shumica e atyre që e kanë sulmuar dhe e sulmojnë barbarisht kryeministrin Kurti:
- ose kanë ndonjë biznes të ndërtuar mbi korrupsion,
- ose janë gazetarë të korruptuar,
- ose janë veteranë të rremë,
- ose janë bërë të pasur në mënyrë të padrejtë,
- ose janë pjesëtarë të prokurorisë dhe gjykatave jofunksionale,
- ose përmenden për ndonjë fije lidhjeje me BIA-në serbe apo UDB-në e dikurshme,
- ose janë militantë që shkruajnë në Facebook, të manipuluar nga njëri prej atyre grupeve - ndoshta vetë ata,
- ose pjesëtarë të familjeve të tyre.
Pse mund të thuhen ato mendime?
Sepse në urrejtjen jonormale ndaj Kurtit shfaqen qëndrime tërësisht të pashpjegueshme. Disa e kanë quajtur herë kriminel, herë më të ligë se Millosheviçi - siç bëri Milaim Zeka - edhe pse ai nuk ka vrarë asnjë njeri. Edhe pse nuk ka shkaktuar ansjë masakër. Të tjerë e kanë akuzuar për korrupsion dhe mungesë të plotë suksesi gjatë qeverisjes, siç bëri Hikmete Bajrami, edhe pse ai e ka çliruar dhe çarmatosur veriun. Ibrahim Kelmendi e pat akuzuar për “terrorizim të serbëve”, ndërsa Lutfi Haziri deklaroi se Kurti po vepronte si Rankoviçi, i cili dikur pat ushtruar terror dhe dëbuar qindra-mijëra shqiptarë në Turqi.
Berat Buzhala shkroi se Qeveria Kurti nuk ka pothuajse asnjë sukses në indekset ndërkombëtare - një pretendim që bie ndesh me shumë të dhëna objektive. Ndërkohë, Baton Haxhiu pat deklaruar se “veriu ka marrë fund” dhe se kriminelët serbë nuk duhet të ndiqen pas më shumë se njëzet viteve. Thua se ata kishin vrarë kafshë. Jo njerëz. Në trishtimet e tyre, në akuzat e tyre, në mohimet e tyre totale dhe te mobilizimi i përbashkët shihej krejt qartë ana irracionale e urrejtjes dhe frikës. Me ato qëndrime destruktive dhe shumë pasionale, ata ia hapën sytë popullit - por edhe mua dhe shumë votuesve.
Në shkoqitjet e sipërshënuara nuk përfshihen kritikat dashamirëse të njerëzve neutralë, të cilët përdorin gjuhë dinjitoze dhe janë politikisht të pavarur. Sidoqoftë nëse kam të drejtë dhe sa kam të drejtë, do të kemi mundësi ta kuptojmë më qartë pasi të themelohet Byroja për Sekuestrimin e Pasurisë së Vjedhur, e cila është në ardhje. Atëherë do të kuptojmë pse disa e konsideronin Kurtin më të keq se Milloshevçi, pse u mungon aq shumë Fatmir Sheholli, dhe pse janë kaq të shqetësuar e të nervozuar.
Pasi të pastrohet Lista e Veteranëve të Rremë - me mbi 30.000 emra të dyshimtë, shumë prej të cilëve mund të kenë më shumë se tre anëtarë për familje - krijohet një armatë prej mbi 100.000 kundërshtarësh të zjarrtë të qeverisë. Ata, përmes Facebook-ut, kanë shprehur urrejtje të hapur ndaj Kurtit dhe kanë zhvilluar propagandë linçuese kundër tij.
Pas vetingut, do të kuptojmë se cilët gjyqtarë dhe prokurorë mbronin krimin, korrupsionin dhe sabotonin shtetin, por gjithashtu do të largohen edhe ata që kanë lidhje me Serbinë. Gjatë pesë viteve të fundit, prodhimi i brendshëm bruto është rritur nga 7 miliardë në 12 miliardë. As ky nuk është sukses sipas Hikmetes. Në katër vitet e ardhshme, mund të rritet edhe me 2 deri në 5 miliardë të tjera. Kjo do të ndikonte që të gjitha llojet e pagave të jenë ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Një zhvillim i tillë jo vetëm që do të ndalonte emigrimin, por në një shtet të drejtë do të sillte edhe kthimin e shumë prej atyre që janë larguar tashmë.
Nëse Albin Kurti i përmbyll me sukses ato procese - dhe unë besoj se do t’ia dalë - dhe në anën tjetër do të ketë edhe mbështetjen e SHBA-së për të luftuar krimin dhe korrupsionin, përmes një ligji që është tashmë i paraparë për t’u miratuar, atëherë pas katër viteve Kurti mund të fitojë mbi 60% të votave.
Në një intervistë për “Bota Sot”, para zgjedhjeve, pata parashikuar fitoren e Kurtit me mbi 50%. Por tani kam vetëm edhe një dëshirë, një pritshmëri, një shpresë pas kësaj fitoreje historike, dhe një lutje:
Vjosa Osmani duhet të mbështetet për mandatin e dytë. Kjo është po aq e rëndësishme sa edhe fitorja e Kurtit. Kosova nuk ka pasur kurrë më parë një presidente dhe një kryeministër njëkohësisht kaq të ngritur intelektualisht dhe kaq të drejtë në qëndrime
Zakonisht, njëri ka qenë shumë i mirë, ndërsa tjetri shumë i dobët. Pas Rugovës, shpesh të dy kanë qenë të korruptuar. Përjashtim të mirë bën Jahjaga. Largimi i Vjosës saj nga pushteti do të thoshte që nga një skuadër e mirë të largohet njëri nga dy lojtarët kryesorë dhe të pritet fitore kundër skuadrave shumë të forta. Tash i kemi që të dy. Ky është një fat historik që rrallëherë ndodh. Dhe me defaktorizimin e njërës prej këtyre dy posteve, do të dëmtohej vetë shteti dhe populli i Kosovës. Ata të dy, bashkë me ekipet e tyre, i shërbejnë me përkushtim shtetit dhe interesit të Kosovës.
Në këtë moment historik, kur Kosova udhëhiqet nga dy figura që përfaqësojnë integritetin, dijen dhe përkushtimin ndaj shtetit - dhe kur priten vendime të mëdha me ndikim afatgjatë - është detyrë e secilit prej nesh të mos qëndrojë indiferent. Mbështetja për një qeverisje të ndershme nuk është thjesht çështje politike; është çështje morale, intelektuale dhe kombëtare. Rreshtimi kundër kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, dashur apo padashur, e vendos njeriun në anën e atyre grupeve që u përmendën më lart - dhe, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, u shërben interesave të tyre.
2.
Në vitin 2021, LDK-në e fundosi Isa Mustafa, duke fituar vetëm 12,7% të votave. Arsyeja? Ai shndërroi partinë e Rugovës në “gomaricë” të PDK-së. Gjatë fushatës zgjedhore akuzonte krerët e saj për eliminim të veprimtarëve të LDK-së, por pas tyre bënte koalicion me ta. Pas humbjes dramatike, në vend që anëtarësia të zgjidhte një kandidat të ri sipas meritës dhe aftësisë, humbësit iu lejua ta “votojë” vetë. Ai vendosi. Si në monarki. Si në komunizëm. Lumir Abdixhiku, si shenjë falenderimi për “dhuratën”, shpalli “kryetar nderi” atë që ia dorëzoi LDK-në të alivanosur, më të dëmtuar se kurrë më parë.
Dhe ky, në intervistën e parë, eliminoi fotografinë e Rugovës nga zyra. Isa Mustafa e trajtoi anëtarësinë e LDK-së si hajvanat; nuk i pyeti kurrë, as për koalicion, as për poste, as për kryetarin. Duke marrë parasysh se Mustafa ka qenë bashkëpunëtor i Rrahman Morinës, se pat sanksionuar edhe Ibrahim Rugovën dhe se gjatë kohës së tij nuk ka pasur kurrë guxim t’i afrohej LDK-së, duket se misioni i tij ishte i qartë: rrënimi i partisë.
Mbetet vetëm të kuptohet: ishte kjo hakmarrje personale ndaj Rugovës, apo një urdhër nga jashtë?
Sidoqoftë, ai është ende kryetar nderi, dhe “fyelli” i tij vazhdon të mbajë LDK-në nën kontroll me një skuadër mustafiste. LDK-së, nëse do të mbijetojë, i duhet reformë dhe largimi i armiqve të Rugovës; përndryshe, si ‘gomaricë’ e PDK-së, ajo do të përfundojë tek Ramushi ose te Limaj.

Add new comment